Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar me prova dhe fakte se, si Edi Rama bleu vota në zgjedhjet e 11 majit duke kanabizuar Shqipërinë. Gjatë një konference për mediat, Berisha ka publikuar vendimin e qeverisë për lejet e parcelave prej mijëra hektarësh për të mbjellë kanabis gjatë vitit elektoral.
‘Ligji i miratuar nga qeveria lejon, autorizon mbjelljen e 200 hektarëve në mbarë vendin. Por në vitin elektoral, kjo sipërfaqe u shumëfishua dhjetëra herë, qindra herë. Pra, në vit elektoral Edi Rama rrethoi Shqipërinë në të katër anët e saj, dhe në thellësi, me plantacione droge, vlera e të cilave është kolosale po të kemi parasysh se në 28 mijë hektarë mund të mbillen dhjetëra milionë rrënjë kanabis, të cilat shkojnë në një vlerë të paktën 10 miliardë euro’, tha Berisha.
Në vijim të denoncimit të tij për lejen e lëshuar nga qeveria për kultivimin e kanabisit gjatë fushatës elektorale, kryedemokrati Sali Berisha demokrat tha se, ‘në qoftë se shumëzoni 29.400 hektarë me 5 mijë bimë, imagjinoni pra se ku shkon kjo shifër. Shkon mbi miliard e 300 mijë. Shkon në mbjelljen më të madhe që mund të jetë regjistruar ndonjëherë në një vend. Dhe që të gjitha këtu, tashmë jo bimë klandestine, por bimë të mbjella me certifikatë shteti, me leje të narkoshtetit. Kjo është katastrofa më e madhe dhe me këtë akt, Edi Rama nga veriu në jug, lindja në perëndim, bleu qindra mijëra vota’.
Gjatë konferencës, lideri i demokratëve u shpreh se, licencat e kanabisit i kanë marrë njerëzit e lidhur me Edi Ramën dhe me partinë e krimit. ‘Nuk jemi marrë konkretisht me emrat, por licencë kush përveç njerëzve të lidhur me drogën dhe Ramën nuk merr. Besoj se është e qartë ajo. Aty nuk ka pasur tender për marrjen e tyre’, theksoi kryedemokrati, Sali Berisha.
Në konferecën për mediat, kryetari i PD-së Sali Berisha komentoi edhe dosjen IPARD ku e akuzuar është ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca. ‘Dosjen e mban Altin Dumani me urdhër të Edi Ramës. Është dorëzuar në SPAK nga ish-ambasadorja e BE-së para largimit të saj, por një dorë e zezë e ka bllokuar dhe ajo nuk lëviz,’ deklaroi Berisha, duke shtuar se kjo ka privuar fermerët shqiptarë nga përfitimi i 130 milionë eurove.
Në fund të konfenrencës, lideri i opozitës, Sali Berisha, ka denoncuar zgjedhjet e fundit si ‘kanabizimin më të madh në historinë e vendit.’ Ndërsa gazetari Armand Maho theksoi se shpërndarja e gjeografike e zonave, duke përfshirë edhe përdorimin e kanabisit në Postribë, ka bërë të pamundur kontrollin policor dhe ka ndikuar në ndryshimin e rezultateve elektorale, ku PS-ja arriti përmbysje ndaj PD-së. Ai nënvizon gjithashtu ndikimin e emigracionit dhe boshatisjen e disa zonave si faktorë që kanë ndikuar në këtë ndryshim.
FJALA E PLOTE:
Në farsën elektorale të 11 Majit 2025, kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit shqiptar, Edi Rama, përdori të gjitha mjetet, ndër të cilat licencat për mbjelljen në kundërshtim flagrant me ligjin dhe të gjitha konventat ndërkombëtare të 29 mijë e 300 hektarëve drogë.
Ligji i miratuar nga qeveria lejon, autorizon mbjelljen e 200 hektarëve në mbarë vendin.
Por në vitin elektoral, kjo sipërfaqe u shumëfishua dhjetëra herë, qindra herë.
Pra, në vit elektoral Edi Rama rrethoi Shqipërinë në të katër anët e saj, dhe në thellësi, me plantacione droge, vlera e të cilave është kolosale po të kemi parasysh se në 28 mijë hektarë mund të mbillen dhjetëra milionë rrënjë kanabis, të cilat shkojnë në një vlerë të paktën 10 miliardë euro.
Tani pra, siç e shihni ju, në vitin elektoral, janë përcaktuar të mbillen të paktën 1 miliard e 200 mijë rrënjë kanabis sa kurrë, kurrë, kurrë ndonjëherë në histori.
Në qoftë se një hektar i lihet një bime 2 metër katrorë, i bie në një hektar të mbillen 5 mijë bimë.
Në qoftë se shumëzoni 29.400 hektarë me 5 mijë bimë, imagjinoni pra se ku shkon kjo shifër. Shkon mbi miliard e 300 mijë.
Shkon në mbjelljen më të madhe që mund të jetë regjistruar ndonjëherë në një vend.
Dhe që të gjitha këtu, tashmë jo bimë klandestine, por bimë të mbjella me certifikatë shteti, me leje të narkoshtetit.
Kjo është katastrofa më e madhe dhe me këtë akt, Edi Rama nga veriu në jug, lindja në perëndim, bleu qindra mijëra vota.
Thashë dhe njëherë, nuk ka ndodhur kurrë që të autorizohet, të shkelet me 140 herë sipërfaqja e parashikuar me ligjin, siç ka ndodhur në këto zgjedhje.
Ky vendim dhe kjo praktikë, sikur të mos kishte asnjë faktor tjetër, kanabizon tërësisht farsën elektorale.
Këto zgjedhje kurrë nuk mund të njihen.