back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 12 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetBota10 miliardë dollarë për një dokumentar?/ Trump padit BBC-në

10 miliardë dollarë për një dokumentar?/ Trump padit BBC-në

Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara ka caktuar muajin shkurt të vitit 2027 si datë për nisjen e gjyqit mes Presidentit Donald Trump dhe BBC-së, në një çështje shpifjeje që kap vlerën e 10 miliardë dollarëve.

Padia lidhet me një dokumentar të transmetuar nga BBC pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Sipas pretendimeve të Trump, në programin investigativ Panorama u transmetuan fragmente të redaktuara nga fjalimi i tij i 6 janarit 2021, në mënyrë që të krijohej përshtypja se ai po nxiste mbështetësit të sulmonin Kapitolin.

Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti amerikan ngriti padi në një gjykatë federale të Floridës, duke akuzuar median publike britanike për shpifje dhe shkelje të ligjit mbi praktikat tregtare. Ai kërkon 5 miliardë dollarë dëmshpërblim për secilën prej dy akuzave.

Avokatët e BBC-së kërkuan rrëzimin e padisë, duke argumentuar se Trump nuk ka pësuar dëme konkrete, pasi programi Panorama nuk transmetohet në territorin e Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, kryetari i BBC-së, Samir Shah, i dërgoi një letër presidentit amerikan duke kërkuar falje “për mënyrën se si u redaktuan pamjet”, por theksoi se sipas tij “nuk ekziston një bazë ligjore për një padi të tillë”.

Çështja ka pasur pasoja edhe brenda vetë transmetuesit britanik. Së fundmi, rasti çoi në dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të BBC-së, Tim Davey, si dhe të shefes së lajmeve, Deborah Turnes.

Kjo nuk është hera e parë që Donald Trump përfshihet në beteja ligjore me media të mëdha. Gjatë viteve të fundit, ai ka kërcënuar ose paditur disa organizata mediatike amerikane, ndërsa disa prej tyre kanë arritur marrëveshje financiare për të shmangur procese të gjata gjyqësore.

Gjyqi i planifikuar për vitin 2027 pritet të tërheqë vëmendje të madhe ndërkombëtare, duke qenë një përballje e drejtpërdrejtë mes një presidenti amerikan dhe një prej mediave publike më të mëdha në botë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat