Në Komisionin për Median dhe të Drejtat e Njeriut, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka artikuluar kritika të forta ndaj projektligjit të mazhorancës për Parqet Teknologjike, duke e cilësuar atë si një nismë që rrezikon të thellojë pabarazitë në ekonomi dhe të favorizojë një grup të kufizuar kompanish.
Në cilësinë e kryetares së komisionit, Tabaku vuri në pikëpyetje nevojën për një ligj të ri, duke theksuar se ekziston tashmë një kuadër ligjor në fuqi që prej vitit 2022.
“Ne kemi një ligj në fuqi që nga viti 2022. Pyetja është shumë e thjeshtë: çfarë nuk funksionon që po sillni një ligj të ri? Sepse sipas analizave, qëllimet që ju paraqisni arrihen me legjislacionin ekzistues,” u shpreh ajo.
Një nga pikat kryesore të kritikës ishte koncepti i “parkut virtual”, që sipas saj nuk ka prodhuar zhvillim real ekonomik.
“Sot kemi një park që ekziston vetëm në letër. Një park virtual, ndërkohë që rreth 50 kompani përfitojnë favore fiskale. Tani po e zgjeroni këtë model. Kjo nuk është politikë zhvillimi – është zgjerim i privilegjeve për pakicën,” deklaroi Tabaku.
Deputetja e opozitës e lidhi projektligjin me një problem më të gjerë të funksionimit të ekonomisë, duke paralajmëruar deformim të konkurrencës.
“Ky ligj nuk ndërton inovacion. Ai ndërton një sistem paralel për disa kompani të zgjedhura, duke prishur garën dhe duke i dhënë shtetit një rol dominues në treg,” theksoi ajo.
Një tjetër shqetësim i ngritur ishte mungesa e analizës së impaktit financiar, veçanërisht në lidhje me lehtësitë fiskale të propozuara.
“Ju po propozoni ulje taksash, madje edhe TVSH 0%, por nuk kemi asnjë analizë të kostos për buxhetin e shtetit. Ulja e taksave nuk është slogani i ditës – është përgjegjësi publike që kërkon llogaritje konkrete,” u shpreh Tabaku.
Ajo kritikoi gjithashtu mungesën e konsultimit publik për një nismë që prek drejtpërdrejt tregun.
“Ky projekt është depozituar që në nëntor dhe nuk ka pasur një proces real konsultimi. Ligje që japin favore fiskale duhet të kalojnë patjetër në diskutim publik,” deklaroi ajo.
Në vijim, Tabaku ngriti shqetësimin për rolin e shtetit në këtë model, duke e cilësuar si të përqendruar dhe problematik.
“Shteti në këtë skemë është njëkohësisht aksioner, rregullator, blerës dhe palë kontraktuese. Ky është një përqendrim i rrezikshëm kompetencash që deformon tregun dhe zbeh rolin e Parlamentit,” tha ajo.
Sipas saj, projektligji mund të bie edhe ndesh me standardet europiane, duke krijuar trajtim preferencial dhe elementë të ndihmës shtetërore.
“Po krijohet një korsi preferenciale për disa kompani. Kjo bie ndesh me parimin e trajtimit të barabartë dhe rrezikon të shkelë detyrimet që kemi në kuadër të integrimit europian,” theksoi Tabaku.
Në përfundim, ajo e cilësoi nismën si pjesë të një modeli ekonomik të padrejtë.
“Problemi i kësaj nisme nuk është thjesht teknik. Është politik. Është selektiviteti. Është fakti që po ndërtojmë një ekonomi me dy shpejtësi: një për pakicën që përfiton favore dhe një për shumicën që paguan koston,” përfundoi Jorida Tabaku.



