Policia e Durrësit ka publikuar detaje të reja në lidhje me arrestimin e Ardian Halilit, ish-kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në qarkun e Durrësit. Sipas autoriteteve, Halili u kap në flagrancë duke kryer punime ndërtimi pa leje në pronën e tij pa leje, të njohur me emrin “Sent Michele Rezidencë”.
Në një deklaratë për shtyp, drejtori i Policisë së Durrësit, Vilson Bala, tha se hetimet treguan se ndërtimi i paligjshëm u krye gjatë periudhës kur Halili ishte në detyrë si kryeinspektor i IMT-së, përgjegjës pikërisht për parandalimin dhe ndëshkimin e këtij lloji të veprave penale.
“Shtetasi A. H. e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së… Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim”, deklaroi Bala.
Materialet e rastit janë dërguar te Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, për të proceduar penalisht kundër të dyshuarit për tre vepra penale: “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Drejtori Bala e vlerësoi këtë rast si një dëshmi të qartë të abuzimit të detyrës për qëllime përfitimi personal. “Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës”, theksoi ai.
Rasti i Halilit është një nga të parët e dukshëm në fushen e luftës së deklaruar kundër ndërtimit të paligjshëm dhe korrupsionit lokal në qarkun e Durrësit.