Besnik Berisha, avokat i Valon Ademit, administratorit të kompanisë 2A Group, ka dhënë detaje rreth konflikteve të aksionerëve në aeroportin e Vlorës, gjatë emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV. Sipas tij, konflikti lidhet me veprimet e biznesmenit kosovar Behgjet Pacolli, bashkëaksioner në aeroport.
Berisha tha se marrëveshja fillestare parashikonte një shpërndarje 49%-51% të aksioneve mes 2A Group dhe Pacollit, por situata u tensionua kur Pacolli mori një huatë prej 100 milionë eurosh, pjesa më e madhe e së cilës nuk ka përfunduar në Shqipëri.
“Kulmi i problemit ka qenë huaja në Luksemburg, jo vetëm për investimin e 2A Group, por edhe për interesin kombëtar. Vetëm 6 milionë euro janë çuar në Shqipëri, pjesa tjetër ka shkuar në Kosovë, përmes një kompanie ofshore që nuk e dimë kush e kontrollon,” tha Berisha.
Ai theksoi se 2A Group ka kryer punë dhe investime mbi 23 milionë euro, duke përfshirë kapitalin e investuar dhe kreditë e marra nga BKT në Shqipëri, dhe se aeroporti është hipotekuar për shumën 56 milionë euro. Sipas Berishës, Pacolli ka vepruar si në pronësi 98% të aksioneve, duke anashkaluar partnerin shqiptar dhe marrëveshjen 49%-51%.
“Me z. Pacolli nuk kemi konflikt personal, aksionet janë të paguara dhe investuar. Masa e pezullimit nga gjykata ka për qëllim mbrojtjen e aksioneve dhe të shtetit shqiptar,” shtoi Berisha.
Situata ka bërë që të hapet një proces gjyqësor për mbrojtjen e aksioneve të 2A Group, ndërsa qeveria shqiptare mbetet e përfshirë si palë indirekte për shkak të interesit kombëtar në menaxhimin dhe zhvillimin e aeroportit të Vlorës.



