Pas javësh negociatash, opozita dhe mazhoranca kanë arritur një marrëveshje për përbërjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, që synon të përfaqësojë jo vetëm palët kryesore politike, por edhe partitë më të vogla në Kuvend.
Sipas ujdisë, Partia Socialiste do të mbajë 7 nga 8 vendet që i takojnë shumicës, ndërsa një karrige do t’i kalojë Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.
Nga ana tjetër, opozita ka rënë dakord për ndarjen e vendeve si më poshtë: 5 për Partinë Demokratike, 1 për Partinë Republikane, 1 për Partinë e Lirisë dhe 1 për partinë e Agron Shehajt.
Komisioni do të ketë formulën 8+8 dhe do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë me të drejtë vetoje, një nga mazhoranca dhe një nga opozita.
Partitë që mbeten jashtë komisionit sipas kësaj formule janë Partia “Shqipëria Bëhet” dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit.
Formimi i komisionit pritet të formalizohet në seancën plenare të 30 tetorit, duke hapur rrugën për nisjen e punës mbi ndryshimet e mundshme në Kodin Zgjedhor.



