Nga Instituti i Studimeve Politike
Një histori fundjave me reformë, me Gjykatë Kushtetuese, me Kuvend, Komision të Venecias dhe me Gjykatë të Lartë. Kreu i Gjykatës Kushtetuese nuk kishte bindje për kohëzgjatjen e mandatit të saj, ndaj pa pyetur gjykatën që drejton, e cila sipas Kushtetutës ka të drejtë të bëjë verifikimin dhe shpalljen e vakancës, iu drejtua Komisionit të Venecias! Absurde, por e vërtetë. Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë, e cila duhej të njoftohej zyrtarisht nga GJK për shpalljen e vakancës, po ashtu vendosi të interpretojë vetë kushtetutën dhe shpalli garën për vakancën pa pasur dhe pa kërkuar njoftim. Gjatë dhjetorit disa seanca në Gjykatën Kushtetuese lidhur me pretendimin e kryetares dhe situatën e krijuar, çuan “me shumicë votash, “deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës H. Z., në datën 10.03.2025”. Vendimi përfundimtar nuk është shpallur ende, por tashmë është çështje procedure.
Në këtë mënyrë, brenda muajit dhjetor 2024 Kuvendi interpretoi vetë Kushtetutën duke injoruar vendimin e GJK për mandatin e një deputetes O.XH, Kuvendi lexoi në dy gjuhë një dokument shqip të Komisionit të Venecias për këtë, kreu i Gjykatës Kushtetuese lexoi në një formë tjetër Kushtetutën lidhur me mandatin e saj, vetë anëtarët e GJK patën ndarje votash lidhur me leximin e Kushtetutës për mandatet e tyre, dhe së fundi, Gjykata e Lartë lexoi po ashtu ndryshe Kushtetutën lidhur me kompetencat e saj.
Secili me Kushtetutën e vet (të cilën disa e kanë shkruar vetë për postet që mbajnë), secili për interesin e vet, secili në formën e vet dhe secili me argumentet/pretekstet e veta. Një debat në nivelet më të lartë të sistemit tonë qeverisës dhe të drejtësisë për “konflikte” kushtetuese, të cilat zakonisht studentët e juridikut i mësojnë që në muajin e parë i mësimit në fakultet.
Shpresojmë që 2025 të ketë një fillim të ri, së paku institucionet e larta GJK, GJL, Kuvendi, dhe sidomos ato që shpallin vendime në emër të saj, të lexojnë dhe ta kuptojnë me një njëjtën gjuhë Kushtetutën e RSH.