Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Deklarata u miratua me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Ajo është dakordësuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.
Deklaratën në Kuvend e prezantoi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Në të, Kuvendi shpreh kundërshtimin ndaj aktgjykimit të shkallës së parë dhe e cilëson atë si të padrejtë.
Në tekstin e deklaratës theksohet se lufta e UÇK-së u zhvillua në rrethana të represionit dhe krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë së Kosovës. Kuvendi përmend gjithashtu rolin e NATO-s në ndalimin e dhunës dhe çlirimin e Kosovës.
“Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë”, thuhet në deklaratën e miratuar nga deputetët.
Kuvendi thekson gjithashtu se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën për të kundërshtuar një vendim përmes mjeteve ligjore dhe institucionale.
Vendimi i Dhomave të Specializuara u shpall më 16 shtator. Trupi gjykues i gjeti katër ish-krerët përgjegjës penalisht për disa krime lufte, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.
Deklarata e Kuvendit vjen në një moment kur çështja e aktgjykimit të Hagës ka sjellë reagime të forta politike në Kosovë, ndërsa partitë kryesore parlamentare janë bashkuar në kundërshtimin e vendimit.



