back to top
20.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitetRama: Ulja e çmimit të energjisë, e para në 35 vite

Rama: Ulja e çmimit të energjisë, e para në 35 vite

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediat pas miratimit të vendimit të ERE për uljen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë, është shprehur se kjo është hera e parë që ndodh në 35 vite.

Ai u shpreh se kjo masë është tërësisht e mirëmenduar dhe mbështetur në ekspertizën e brendshme dhe ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama në nisje të Konferencës

Mirëdita të gjithëve! Siç e shikoni, jemi në një mjedis të pazakonshëm për një konferencë të jashtëzakonshme do thoja sepse sot do të ndajmë me publikun një arritje që është nga më domethënëset e qeverisjes sonë, uljen e parë në historinë e këtyre 35 viteve të çmimit të energjisë elektrike. Ky është një fakt i cili na mbush patjetër me shumë krenari, po të marrim parasysh se nga çfarë humnere e kemi nisur ngjitjen deri në këtë pikë.

Nga ana tjetër, po të marrim parasysh se ulja e çmimit të energjisë elektrike në kohën e sotme është në kundër tendencë të plotë me rajonin dhe me kontinentin ku jetojmë ku çmimet e energjisë elektrike jo vetëm janë rritur në përgjithësi, por janë të kërcënuara nga rritje të tjera. Natyrisht që kjo masë është një masë më shumë sesa e mirë menduar, e diskutuar gjerësisht në të gjitha nivelet me ekspertizën e brendshme dhe me ekspertizë ndërkombëtare. E bazuar në projeksionet e planit tonë strategjik për sovranitetin e plotë energjetik dhe kthimin e Shqipërisë në një eksportues neto të energjisë brenda mandatit tonë të katërt dhe sigurisht duke pasur parasysh edhe parimin e shpallur botërisht të qeverisë sonë për të ndarë me qytetarët frutet e reformave e dhimbshme, frutet e përpjekjeve shumë të mundimshme në këto vite dhe frutet e një rritjeje ekonomike që për vitin 2025 e parashohim në harkun e 4% që është një shifër shumë domethënëse.

Edhe diçka tjetër përpara se t’ia kaloj fjalën zëvendëskryeministres dhe ministres së energjisë për të folur konkretisht për uljen e çmimit dhe për gjithë faktet dhe shifrat që e mbështesin materializimin e jashtëzakonshme të një historie 10 vjeçare përpjekjesh. Kini parasysh disa fakte dhe po përsëris fakte që nuk dalin zakonisht në ekrane dhe në portale se ekranet dhe portalet janë shumë të interesuara për spektaklin e gjysmë të vërtetave dhe për thertoren publike të të gjithë personazheve publikë.

E para, Shqipëria sot falë politikës sonë në fushën e energjisë, falë masave komplekse që ne kemi marrë, qoftë me shtrëngimin e një hapësire tërësisht të shqyer që gjetëm kur gjysma nuk e paguante apo e vidhte energjinë dhe pjesa tjetër paguante dhe për pjesën tjetër dhe falë incentivave është jo vetëm e para në rajon për vet prodhimin e energjisë solare, por me distancë nga i dyti.

Sot Shqipëria prodhon 196 megavat energji elektrike nga subjektet private familjar apo biznese

Në vendin e dytë është Serbia me1/4 e prodhimit të Shqipërisë, 51 megavat, pastaj Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia janë bashkë në një grup midis 14 dhe 18 megavat. Tre vjet! Tre vjet politikë në kulmin e sfidës nga kriza e madhe që prodhoi në gjithë sektorin energjetik edhe Europës, lufta në Ukrainë.

E dyta, sot Shqipëria 10% të prodhimit të saj e ka nga dielli. Kur ne hymë në këtë fazë ishte zero. Sot e ka 10 % dhe sot flasim për mbi 300 megavat prodhim që bazohet tek politika jonë e mbështetjes për diversifikimin e portofolit në funksion të sovranitetit të plotë energjetik të Shqipërisë dhe të kthimit të Shqipërisë në një eksportues neto të energjisë brenda mandatit të katërt dhe bashkë me prodhimin që nuk është pjesa e kuadrit të masave tona mbështetëse, ka 500 megavat në total, por më e rëndësishme se kjo, sot në kanalin e investimeve që janë të pritshme bazuar në aplikimet e reja kemi 1300 megavat energji diellore, 1.3 giga. Që do të thotë në total do të arrijmë objektivin e 30 % të prodhimit të energjisë totale nga burime të tjera përveç ujit, kam parasysh diellin, kam parasysh dhe 300 megavat energji ere që janë projekte tanimë ta futura në proces.

Dhe në mbyllje, pse është e rëndësishme kjo? E rëndësishme kjo është për faktin që ndryshe nga ç’thonë të gjithë ata që thonë e thonë por s’dinë çfarë thonë dhe që rrokanisin kokën e opinionit publik me teorinë që ne kemi energji për vete dhe për të tjerët, në fakt në vitet e mira hidrike ne mbulojmë vetëm 75% të nevojave, që të jemi shumë të qartë, prandaj nuk jemi sovranë akoma. Por ama sot jemi tre vite larg sovranitetit të plotë energjetik sepse 30% të volumit të përgjithshëm që na duhet për të kompensuar, plus riciklimin e prodhimit hidrik përmes teknologjisë së re të pompimit që po e zbatojmë në Shqipëri si një projekt inovativ, në bashkëpunim me StatKraftin për Devollin dhe në mënyrë të pavarur nga KESH për Fierzën, do të na bëjnë që të jemi sovranë. Në vitet jo të mira hidrike dhe kemi pasur disa të tilla, ne e kemi 65% kapacitetin total të prodhimit, pra jemi të varur nga importi dhe nga çmimet e bursave dhe nga krizat e të tjerëve.

Ndërkohë që sot ne ju themi shqiptarëve me shumë krenari, u deshën vite, patjetër se duhen vite, por ne ia dolëm që t’iu shohim në sy e t’iu themi; ata që shpenzojnë dhe që janë rreth 95% e konsumatorëve deri në fashën 700 kilovat orë, do të kenë një ulje të çmimit të energjisë dhe mos harroni, në vitin 2019, pra që sipas meje ishte dhe mbyllja e kësaj fazës së parë për sovranitetin energjetik.

Konsumi më i lartë i vitit ishte 21 milionë kilovat orë në natën e Vitit të Ri. Nata e Vitit të Ri të 2019 ka qenë konsumi më i lartë i pikut. Sot 22 milionë kilovatë orë është normaliteti ndërkohë në pik ne shkojmë në 28-29 milionë dhe pikun nuk e kemi më vetëm për Vit të Ri siç e kishim dikur, por pikun e kemi edhe në periudhën e verës për shkak të rritjes eksponenciale të turizmit, por edhe në periudhën dhjetor – janar po ashtu. Ça thotë kjo? Kjo thotë një gjë shumë të madhe; Shqipëria është një vend tjetër. Shumë e thjeshtë, Shqipëria është një vend tjetër sepse rritja e konsumit të energjisë me këto përmasa, tregon rritje të ekonomisë, tregon rritje të kapaciteteve në të gjitha shtresat për konsum të energjisë dhe natyrisht që edhe ky është një fakt që na ndihmon të marrim këtë hap të uljes sepse kemi më shumë konsum, pra kemi edhe më shumë të ardhura. Kjo është paraqitja ime.

Besoj shumë që ky moment materializon përpjekjet e të gjithë atyre që kanë kontribuuar dhe kontribuojnë në këtë fushë që nga drejtuesit deri tek elektricisti i fundit i sektorit publik të energjisë, deri tek numëruesi i fundit i sahatëve që është pjesë; pjesa e sahatëve është pjesë e transformimit, pra transformimi  vazhdon. Së shpejti në javën e ardhshme, bashkë me zëvendëskryeministren dhe së bashku me një delegacion në do të shkojmë në Abu Dhabi për një tjetër moment historik jo më të Shqipërisë si Shqipëri për konsumatorët e vet, por Shqipëri si aktor i energjisë në nivel evropian.

Do ta shikoni pas ca ditësh por sot fokusohemi tek ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe sot besoj dhe nga prezantimi që do të bëjë zëvendëskryeministrja, do të ekspozojmë me fakte edhe të gjithë ata që pasi ia kanë nxirë dhe ia kanë errësuar jetën e përditshme në kuptimin fizik të fjalës, shqiptarëve, bëjnë teori për sektorin energjetik ndërkohë që siç do të shikoni, çmimet e energjisë elektrike i kanë pasur më të larta sesa çmimi që është sot, jo sesa  çmimi që do të jetë duke filluar nga muaji shkurt, po sesa çmimi që është sot dhe i kanë rrokanisur dhe i rrokanisin kokën shqiptarëve  në bashkëpunim me kanale e portale të llumit, duke iu thënë që ‘’ne e rritëm çmimin, ne  e rritëm këtë..’’. Ne s’kemi rritur asgjë, ne thjesht kemi rritur Shqipërinë dhe po rrisim Shqipërinë përditë si një forcë në dispozicion të njerëzve që nuk ka qenë e mundur të jetë asnjëherë për shkak se ia kishin zënë sytë, ia kishin zënë gojën, ia kishin zënë frymën, ia kishin këmbët, ia kishin zënë dhe duart. 

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat