Në vijim të aksionit kundër nëndeklarimit të pagave, Drejtoria e Hetimit Tatimor ka referuar në Prokurori 2 subjekte, që dyshohet se kanë kryer veprën penale të “Fshehjes së të Ardhurave”, sipas nenit 180 të Kodit Penal.
Drejtoria Hetimit Tatimor po kryen hetime ndaj disa subjekteve të shtrira në Republikën e Shqipërisë, të cilat pavarësisht njoftimeve të vazhdueshme të Administratës Tatimore, vazhdojnë të mos deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre.
Subjektet e hetuara i përkasin sektorit të ndërtimit dhe që aktivitetin e tyre e ushtrojnë në qarkun e Tiranës. Nga provat e mbledhura për këto subjekte krijohen dyshime të arsyesshme mbi ekzistencën e dy listëpagesave që këto shoqëri përdorin, ku njëra depozitohet pranë organeve tatimore dhe tjetra që është pasqyrë e gjendjes reale mbahet nga subjektet. Nga analiza e ushtruar rezultoi se informaliteti i pagave ishte në masën mbi 50%.
Nëpërmjet falsifikimit të të dhënave në listëpagesat e tyre dhe bilancet, që paraqesin në organet tatimore, ato raportojnë pagesa për punonjësit e tyre në vlera shumë më të ulëta sesa ato që janë realisht, duke sjellë për rrjedhojë një raportim joreal të pagesave për kontributet e sigurimeve shoqërore, që duhet të paguhen për një pagë dhe tatimit mbi të ardhurën nga paga. Rezulton se diferenca e pagës reale paguhet nën dorë, duke i mohuar individit të drejtën për pension të merituar.