Arkitekti dhe ish-zëvendës ministri I Zhvillimit Urban në qeverinë “Rama 1”, Gjon Radovani ka reaguar pas lajmit se celulari i tij ka zbardhur skemën e rikonstruksionit të disa komisariateve të vendit.
Sipas Radovanit, kompania e tij është futur në garë për rikonstruksionin e komisariateve të Shqipërisë dhe ka fituar të drejtën e projektimit për Vlorën dhe Rrëshenin.
Ai thotë më tej se kompania ka paguar taksat, por Ministria e Brendshme e që në atë kohë kur janë bërë këto procedura drejtohej nga Sandër Lleshaj, ende nuk ka derdhur ende paratë.
Kujtojmë se nën akuzë, për këtë çështje është zyrtarisht i pandehur deputeti Plarent Ndreca, i cili sipas SPAK ka shkelur ligjin gjatë kohës që ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, për tenderat e komisariateve.
Deklarata e plotë:
Duke marrë shkak nga informacione të mediave shqiptare të ditës së sotme në të cilat përmëndet edhe emri im dhe duke konstatuar se informacionet e dhëna për publikun janë ose pjesërisht të sakta ose të pasakta deklaroj si më poshtë:
1. Në vitin 2019 unë, ark. Gjon Radovani kam marrë pjesë në një KONKURS PROJEKTIMI të organizuar nga Ministria e Brëndëshme me temë: “Studim projektimi për disa projekte tip, objekte të Policisë së Shtetit”
2. Pjesëmarrja në konkurs është bërë nëpërmjet bashkimit të operatorëve ekonomik “Derby-E” dhe “APE.shpk”, kjo e fundit në pronësinë time.
3. Unë si arkitekt i pavarur kam bërë një kontratë bashkpunimi me bashkimin e operatorëve ekonomik në bazë të së cilës unë do të zhvilloja projekt idenë dhe normativat e projektimit të komisariateve, ndërsa dy shoqëritë do të zhvillonin projektet e zbatimit nën mbikqyrjen time në rast nevoje, në rast lidhjeje kontrate. 4. Bashkimi i operatorëve ekonomik “Derby-E” dhe “APE.shpk” është shpallur fitues i konkursit të projektimit.
5. Në bazë të termave të referencës së konkursit faza e konkursit të projektimit ka qënë pa rimbursim ekonomik.
6. Bashkimi i operatorëve ekonomik në bazë të termave të referencës së konkursit ka lidhur kontratë bashkpunimi për projektimin ekzekutiv të dy reparteve të Policisë së Shtetit, atë të Vlorës dhe atë të Rrëshenit.
7. Bashkimi i operatorëve ekonomik ka dorëzuar projektin e zbatimit pranë MB dhe sipas kontratës ka lëshuar faturën tatimore.
8. Bashkimi i operatorëve ekonomik ka paguar tatimin mbi vlerën e shtuar për faturën e lëshuar.
9. Edhe sot e kësaj dite fatura për punën e bërë nuk është likuiduar nga MB dhe dy shoqëritë e bashkimit të operatorëve ekonomik janë në limitet e falimentit, sepse përvec që nuk janë paguar për punën e bërë, kanë paguar edhe taksat sikur të kishin arkëtuar shumën e faturës.
Në këto kushte unë dhe kolegë të tjerë të përfshirë në projekt me të drejtë kemi kontaktuar kohë pas kohe funksionarët e MB për të kërkuar të drejtën tonë të munguar. Pas një kalvari prej tre vitesh të gjendur para një padrejtësie për ne tashmë të pazgjidhshme i kemi kaluar çështjen një avokati për të marrë rrugën e mundshme të një procesi civil kundër debitorit.
Për sa më sipër posedoj të gjithë dokumentat që faktojnë se kjo është e vërteta dhe vetëm e vërteta e kësaj çështje.