Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të rënda gjatë Konferencës për Sigurinë Ushqimore, duke deklaruar se kontrolli mbi ushqimet në Shqipëri ndodhet në ‘duart e mafies’. Ai e cilësoi situatën alarmante, duke theksuar se është vetë “mafia shtetërore” ajo që kontrollon sektorin e sigurisë ushqimore, i cili sipas tij është një nga më të rëndësishmit për shëndetin e qytetarëve.
Berisha u shpreh se Shqipëria nuk plotëson asnjë nga standardet e Bashkimit Europian për sigurinë ushqimore, duke theksuar se pavarësisht pranisë së ekspertëve të kualifikuar, ata janë të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse. Sipas tij, kontrollet bëhen nga struktura të korruptuara, të cilat pengojnë përfshirjen e investitorëve të huaj dhe zhvillimin e sektorit me cilësi europiane.
Ai kritikoi ashpër edhe mënyrën se si menaxhohen prokurimet publike, duke thënë se në 99% të rasteve ato fitohen nga kompani shqiptare, ndërsa të huajt përjashtohen përmes burokracive të qëllimshme. “Kanë vënë rregull që dokumentet duhen për 38 ditë, dhe i huaji paraqitet vetëm pasi është firmosur prokurimi,” deklaroi ai, duke e quajtur këtë një pengesë të qëllimshme ndaj konkurencës së ndershme.
Berisha theksoi se siguria ushqimore është drejtpërdrejt e lidhur me shëndetin e qytetarëve dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për ta nxjerrë këtë sektor nga duart e interesave mafioze.