Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë u ndez nga një tjetër deklaratë e fortë e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili kësaj radhe akuzoi kreun e DPSHTRR-së, Blendi Gonxhen, duke e krahasuar me emra të njohur të botës së krimit.
“Të dashur qytetare dhe qytetarë, ai që shihni aty, ai ndërroi mbiemrin.
Ai tani quhet Blendi Xhabafti.
Ai është një bandit më i keq, më i rrezikshëm se Robert dhe Alfred Xhabafti. Ja, ky është!”, – deklaroi Berisha nga foltorja, duke treguar me gisht drejt Gonxhes.
Ish-kryeministri vijoi me tone ironike, duke e krahasuar Gonxhen me figura të tjera politike:
“Është njëlloj si ti, se edhe ti erdhe si Spiropali dhe përfundove si Spirogjoka.”
Deklarata e Berishës ka ngjallur reagime të menjëhershme në sallë, duke thelluar përplasjet politike që kanë karakterizuar seancat e paszgjedhjeve të 11 majit. Kjo retorikë vjen në vazhdën e akuzave të forta të opozitës për manipulime, blerje votash dhe ndikim të krimit të organizuar në rezultatet zgjedhore.



