Deputetja e sapozgjedhur e qarkut të Elbasanit, Sara Mila, ka reaguar ndaj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e akuzoi se ka përfituar mandate në zgjedhjet e 11 majit me ndihmën e grupeve kriminale. Në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, Mila tha se përgjigjen për këto akuza do t’ia japë personalisht Berishës në shtator, kur të ulet për herë të parë në sallën e Kuvendit.
“Mezi po pres shtatorin, sepse është shumë e vështirë kjo hedhja e fjalëve nga larg që opozita bën për mua nga Parlamenti, kur unë nuk jam ende pjesë e Parlamentit”, – tha Mila, duke shtuar se përballja ballë për ballë do të jetë më e drejtpërdrejtë dhe transparente.
Ajo shprehu mirënjohje për 20.225 votat e marra në Elbasan dhe theksoi se, në vend që ta dëmtonte, fushata e sulmeve nga ana e PD-së e ndihmoi të forconte mbështetjen në terren. “Antireklama që më bënë, ndikoi në rritjen e mbështetjes ndaj meje. Demokratët në Elbasan më kanë parë si një figurë të re, ndryshe nga politika e konsumuar,” – tha Mila.
Deputetja nënvizoi se sulmet ndaj saj dhe familjes së saj kanë qenë të pavend dhe të padrejta, por shtoi se rezultati i votimeve i dha asaj një ndjesi çlirimi dhe një detyrim të madh ndaj elektoratit.
Në përfundim të deklaratës së saj, Mila lëshoi një sfidë të drejtpërdrejtë për opozitën: “Non grata-s do t’i përgjigjem në shtator. Ata e kanë ndarë mendjen të merren me mua gjatë, unë aty do të jem.”