back to top
27.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitetBardhi nga Strasburgu godet Ramën: Pse u ndal task-forca e SPAK për...

Bardhi nga Strasburgu godet Ramën: Pse u ndal task-forca e SPAK për zgjedhjet?

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur alarmin nga Strasburgu lidhur me ndërhyrjen politike në punën e SPAK gjatë fushatës zgjedhore të 11 majit. Në Komisionin e Stabilizim-Asociimit, Bardhi i është drejtuar përfaqësueses së Komisionit Europian me një pyetje direkte: “SPAK ka ndërmarrë veprime konkrete, apo thjesht strategji të bukura në letër?”

Ai solli në vëmendje ngritjen e një Task-Force me pjesëmarrjen e SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ, e cila kishte për qëllim monitorimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore. Por sipas Bardhit, kjo nismë u ndal menjëherë pas një deklarate të Kryeministrit Edi Rama më 20 shkurt, kur ky i fundit kërkoi publikisht që SPAK të ndalonte çdo veprim në terren.

“Kryeministri i vendit i kërkoi SPAK-ut të mos i survejojë partitë politike, të ndalojë ndjekjen e tyre dhe të mos ushtrojë trysni ndaj administratës. Që nga ai moment, nuk pati më asnjë veprim të dukshëm në terren nga prokurorët e posaçëm,” – theksoi Bardhi.

Demokrati shprehu shqetësimin se, edhe pse mund të ketë çështje nën hetim, rezultatet mungojnë dhe pa ndëshkime konkrete, strategjitë e shkruara nuk vlejnë.

“Nëse rezultatet i marrim në vitin 2030, nuk ndihmojnë në ndëshkimin real të krimeve zgjedhore,” – tha ai, duke shtuar se transparenca dhe veprimi efektiv janë thelbësorë për integrimin europian të vendit.

Deklarata e tij është pritur me interes nga pjesëmarrësit në seancë, ndërsa pritet reagim nga përfaqësues të mazhorancës për të sqaruar ndërhyrjen e dyshuar në punën e institucioneve të drejtësisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat