Përfaqësuesja e Komisionit Europian, Sigrid Brettel, gjatë mbledhjes së Komisionit të Stabilizim-Asociimit në Strasburg, vuri theksin te rëndësia e vijimësisë së Reformës në Drejtësi dhe ruajtjes së pavarësisë së SPAK.
“Reforma në drejtësi duhet të jetë një proces i pakthyeshëm, arritjet të ruhen dhe të konsolidohen. SPAK është institucioni më i besuar në vend dhe ka luajtur një rol kyç në procesin e negociatave me BE-në,” tha Brettel.
Ajo nënvizoi se Shqipëria ka hapur 4 grupkapituj dhe është në prag të hapjes së kapitullit të pestë, duke e cilësuar këtë si një moment të paprecedent për të dyja palët.
Roli i Kuvendit dhe sfidat e shtatorit
Në vijim, Brettel theksoi rolin vendimtar të Kuvendit për përmbushjen e standardeve europiane në shtator dhe tetor, ku pritet miratimi i një sërë paketash legjislative që përfshijnë: luftën kundër korrupsionit, konfliktin e interesit, pavarësinë e mediave, reformën në drejtësi, anëtarët jo-magjistratë të KLGJ-së dhe KLP-së.
Lufta kundër krimit dhe mbrojtja e gazetarëve
Përfaqësuesja e KE theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të zinxhirit të sundimit të ligjit, duke përfshirë BKH-në, kapacitetet e policisë dhe integritetin institucional. Ajo kërkoi më shumë përkushtim për garantimin e lirisë së medias dhe mbrojtjen e gazetarëve, si dhe për transparencën në financimin e mediave.
Zgjedhjet dhe rekomandimet e ODIHR
Duke komentuar zgjedhjet e 11 majit, Brettel përmendi si zhvillim pozitiv votimin e diasporës dhe bashkëpunimin mes SPAK, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Ajo shprehu shqetësimin për përdorimin e administratës publike nga partia në pushtet dhe nënvizoi se Komisioni Europian po ndjek me kujdes procesin e rinumërimit në Tiranë dhe Fier.
“Rekomandimet e ODIHR duhet të merren patjetër parasysh. Afatet janë ambicioze, por të arritshme me punë dhe vullnet politik nga të gjitha palët”, përfundoi Brettel.