Avokati Kujtim Cakrani deklaroi se akuzat për lobimin e Ilir Metës në SHBA nuk qëndrojnë më, duke i cilësuar të pavërtetuara dhe pa asnjë provë ligjore. Në një intervistë për televizionin “MCN”, Cakrani theksoi se klienti i tij nuk ka firmosur asnjë kontratë lobimi dhe nuk ka qenë në dijeni për veprimet që i atribuohen.
“Për lobimin e parë është paguar 100 mijë euro dhe është kryer në përputhje me ligjet shqiptare dhe ato amerikane. Por për lobimin e mëvonshëm, Meta nuk ka firmosur dhe nuk ka qenë në dijeni. Janë persona të tjerë që kanë ndërvepruar me një kompani të huaj dhe kanë kryer pagesa për llogari të tyre,” deklaroi avokati.
Cakrani pohoi se hetimet ndaj Ilir Metës janë zgjeruar në të gjithë karrierën e tij politike, por sipas tij, nuk është gjetur asnjë provë për pasuri të paluajtshme apo të luajtshme jashtë vendit.
“Kanë ardhur dokumente zyrtare nga Anglia, SHBA, Kanadaja dhe Qipro, dhe rezultati është zero pasuri në emër të Ilir Metës,” u shpreh ai.
Lidhur me qëndrimin e Metës në paraburgim, avokati theksoi se gjithçka lidhet me një kartë bankare të përdorur nga ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, për të cilën Meta nuk ka pasur dijeni.
“Sipas Prokurorisë, karta është përdorur nga një i afërm i zonjës Kryemadhi. Zoti Meta nuk ka pasur dijeni, dhe kjo është vërtetuar pas ndarjes së tyre. Ndërkohë, përgjegjësia në këtë rast është individuale, jo kolektive,” theksoi Cakrani.
Në fund, ai e quajti çështjen si “një nga më të lehtat për t’u mbrojtur”, duke shtuar: “Zoti Meta nuk ka blerë as gruan e Bilalit, as dashnorin e McGonigal. Nëse provat thonë ndryshe, unë marr përgjegjësinë të mos dal më në publik.”