Në një lidhje të drejtpërdrejtë në Facebook, kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit të prokurores Elsa Gjeli, e cila sipas tij, ka bllokuar zhvillimin e zonave publike dhe ka penguar interesat e shtetit dhe qytetarëve.
Rama tha se gjatë vizitës në Vlorë ka konstatuar vështirësi për zhvillimin në truall shtetëror për shkak të veprimeve të një prokurori tjetër që ka vënë në sekuestro prona shtetërore prej vitesh. Ai theksoi se vendimi i prokurores Gjeli ka lënë në baltë shtetin dhe qytetarët, duke dëmtuar edhe strukturat që përpiqen të ruajnë ligjin.
Kryeministri kërkoi ndërhyrjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe i kërkoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë të shqyrtojë rastin dhe të vlerësojë nëse prokurorja është e denjë të vazhdojë të paguhet nga taksapaguesit, duke theksuar se këta zyrtarë shpesh janë më të paguar se mësuesit dhe policët, por tradhtojnë interesat publike me paaftësi, padituri apo qëllim.
“Ky është rasti i parë që do të pasohet sa herë që përballemi me prokurorë territoresh që tradhtojnë interesat e shtetit dhe qytetarëve,” deklaroi Rama, duke paralajmëruar se ata që veprojnë kundër interesave të Republikës do të përballen me pasoja.