Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç për, sipas tij, sabotimin e integrimit europian të rajonit përmes devijimit nga parimet bazë të Bashkimit Europian.
Në një deklaratë publike, Berisha akuzoi të dy liderët se, për të justifikuar mungesën e progresit në procesin e integrimit, i hedhin fajin “lodhjes së Europës”, ndërkohë që realisht nuk respektojnë shtetin e së drejtës dhe standardet demokratike që kërkohen nga BE.
“Shpeshherë ne mendonim se as Rama dhe as Vuçiç nuk ishin të interesuar për integrimin. Ata shanin dhe hidhnin fajin lodhjes së Europës dhe shpikën ‘Ballkanin e Hapur’ si një projekt paralel, që shmang standardet e BE-së”, tha Berisha.
Ai theksoi se nuk është lodhja e Europës që ka ngadalësuar procesin, por mungesa e përkushtimit nga udhëheqësit rajonalë. Sipas tij, në vend që të punojnë për reforma, ata kërkojnë rrugë të shkurtra dhe partneritete alternative që nuk kërkojnë transparencë dhe ndëshkim për korrupsionin.
“Këta persona duke fajësuar Europën për procesin e ngadaltë, i lejuan vetes që të mos shqetësoheshin për parime dhe standarde. Ballkani, nga një rajon lufte, është kthyer në një protektorat të krimit”, vijoi ai.
Berisha vlerësoi ndihmën e Partisë Popullore Europiane (PPE), duke theksuar se një mision faktmbledhës do të vijë së shpejti në Shqipëri për të hetuar raste konkrete dhe për t’i pasqyruar ato në Bruksel.
“Ne jemi të inkurajuar sepse misioni i tyre faktmbledhës do të jetë me shumë rëndësi për të hedhur dritë mbi të vërtetat që ndodhin në Shqipëri. Është jetike që të ruajmë standardet dhe shtetin e së drejtës”, përfundoi ai