Mbretëria e Bashkuar ka shpallur këtë të mërkurë një paketë të re sanksionesh që synon goditjen e rrjeteve kriminale të përfshira në trafikimin e njerëzve një veprim ky që për herë të parë i dedikohet posaçërisht këtij fenomeni global.
Në listën e të sanksionuarve përfshihet edhe një shtetas shqiptar, i identifikuar si figurë kyçe në organizimin e kalimeve të paligjshme përmes Kanalit Anglez.
Masat përfshijnë, ngrirjen e pasurive dhe llogarive bankare, ndalimin e hyrjes në Mbretërinë e Bashkuar, ndalimin për të ushtruar funksione drejtimi në kompani britanike.
Sipas autoriteteve britanike, sanksionet synojnë të ndërpresin zinxhirin e furnizimit dhe logjistikës që mundëson kontrabandimin e migrantëve nga Azia, Ballkani dhe Afrika e Veriut drejt Britanisë.
Në mesin e personave të përfshirë është, Bledar Lala, shtetas shqiptar dhe drejtues i një grupi kriminal në Belgjikë, i cili dyshohet se ka organizuar kalime të rrezikshme të migrantëve drejt Mbretërisë së Bashkuar përmes Kanalit Anglez.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, deklaroi:
“Ky është një moment vendimtar për të ndalur krimin e organizuar të imigracionit. Trafikantët nuk do të kenë më ku të fshihen. E dimë kush janë dhe do t’i ndalim.”
Sanksionet prekin edhe individë të tjerë nga Iraku, Siria, Kina, Maroku, Serbia dhe Mali i Zi të lidhur me veprimtari kriminale që përfshijnë furnizimin me gomone, pasaporta të falsifikuara, transfertat e paligjshme përmes Hawala-s dhe trafikimin me dhunë të migrantëve.
Këto masa janë pjesë e strategjisë më të gjerë “Stop, Deter, Return”, ndërsa Londra përpiqet të frenojë migracionin e paligjshëm dhe të godasë rrjetet që përfitojnë nga njerëzit në situata të dëshpëruara.