Analisti Andi Bushati shpreh dyshime të forta për pavarësinë e SPAK dhe GJKKO, duke theksuar se edhe pse nuk ka prova konkrete për korrupsion brenda këtyre institucioneve, ato janë të përdorura si instrumente politike në duart e pushtetit.
“Nuk ka akuza thelbësore për korrupsion në SPAK dhe GJKKO, dhe kjo është një aspekt pozitiv. Por mungesa e korrupsionit nuk do të thotë drejtësi e pavarur, sepse këto institucione po shërbejnë si vegla politike,” tha Bushati në një intervistë për MCN.
Ai shtoi se edhe në kohën e komunizmit ka pasur institucione drejtësie të pakorruptuara, por që nuk kanë qenë kurrë të pavarura, duke e lidhur këtë realitet me situatën aktuale në Shqipëri.
Bushati denoncon gjithashtu hetimin ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e quajtur një spektakël të kontrolluar nga kryeministri Edi Rama. Sipas tij, procesi duket si një goditje e madhe ndaj Veliajt, por në fakt është një lojë politike e sinkronizuar nga brenda partisë.
“Idiotët e dobishëm sot duartrokasin këtë proces, duke thënë se po mbaron pandëshkueshmëria. Por Veliaj nuk mbahet për veprat e tij, por për abuzimet e gruas së tij. Kjo është një shfaqje politike, ku drejtësia është e kontrolluar dhe e përdorur si vegël,” tha Bushati.
Ai përfundon me një paralajmërim të qartë se SPAK dhe GJKKO nuk duhet idealizuar si institucione të pavarura, sepse në fakt ato po përdoren për interesa politike dhe jo për drejtësi të vërtetë.



