back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaKodi i ri Penal, një rrugë shpëtimi për Ahmetajn dhe zyrtarët nën...

Kodi i ri Penal, një rrugë shpëtimi për Ahmetajn dhe zyrtarët nën hetim

Kodi i ri Penal, aktualisht në fazën e konsultimit publik, ka ngjallur debate të forta në opinionin juridik dhe politik, për shkak të ndryshimeve rrënjësore që sjell në ndëshkimin e zyrtarëve për abuzim me detyrën dhe shkelje të barazisë në tenderë.

Nëse ky projektligj do të miratohet në formën aktuale, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati dhe përballet me dy çështje penale, mund të përfitojë drejtpërdrejt, duke shmangur akuzën për shpërdorim detyre.

Rasti “Myderizi”: Akuza që mund të zbehet

Një nga akuzat ndaj Ahmetajt lidhet me moszbatimin e një vendimi të formës së prerë, i cili, sipas prokurorisë, i ka shkaktuar dëm ekonomik miliona euro familjes Myderizi. Por neni i propozuar në Kodin e ri penal kërkon që prokuroria të provojë qëllimin kriminal të zyrtarit për t’i shkaktuar dëm personit apo institucionit.

Kjo është një barrë prove shumë më e rëndë, që mund të çojë në rrëzimin e akuzës, për shkak të vështirësisë për të vërtetuar “qëllimin e brendshëm kriminal”.

Shpërdorimi i detyrës dhe barazia në tenderë: Thelbi i zbutjes

Kodi i ri propozon një ndryshim rrënjësor të konceptit të shpërdorimit të detyrës, duke e kufizuar atë vetëm në raste kur provohet se zyrtari ka synuar me dashje kriminale dëmtimin ekonomik të një pale të tretë. Kjo zëvendëson një nen ekzistues të thjeshtë, që mjaftohet me konstatimin e një veprimi apo mosveprimi të paligjshëm që sjell dëm.

Gjithashtu, neni 258 i Kodit Penal, i cili dënonte krijimin e kushteve të pabarabarta në tenderë “në çdo rast”, zëvendësohet me një version të ri, që parashikon dënimin vetëm nëse provohet qëllimi i përfitimit nga zyrtari.

Ky formulim, sipas juristëve, minon ndëshkueshmërinë e shkeljeve sistematike në prokurimet publike, dhe lë hapësirë për interpretim subjektiv nga gjykatat.

Ekspertët “nën hije” dhe mungesa e përgjegjësisë publike

Megjithëse qeveria është distancuar nga drafti, duke theksuar se ai është hartuar nga “ekspertë të pavarur”, deri tani asnjë nga këta ekspertë nuk ka dalë publikisht për të mbrojtur nenet që po tronditin debatin publik.

Kritikët, përfshirë juristë dhe profesorë universitarë, e kanë cilësuar Kodin si “të paqartë”, “me gjuhë të dykuptimtë” dhe në disa raste në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Efekti prapaveprues: Zyrtarët nën hetim mund të përfitojnë

Sipas parimit të ligjit më të favorshëm për të pandehurin, nëse Kodi i ri hyn në fuqi përpara vendimit përfundimtar të gjykatës, zyrtarët e akuzuar ose nën hetim për shpërdorim detyre mund të kërkojnë që të gjykohen sipas ligjit të ri, më të butë dhe më të vështirë për t’u provuar nga prokuroria.

Kjo do të ishte një amnisti e heshtur, që mund të përfitohet pa kaluar përmes Kuvendit, por thjesht përmes një neni të ri që zbut vetë thelbin e fajësisë./BIRN

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat