Etleva Skonja
Për të disatën herë në harkun e disa viteve, ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar një “betejë të madhe”, një “qëndresë popullore”, dhe një “mobilizim kombëtar” për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës. Por ndryshe nga retorika e zjarrtë, realiteti në terren mbetet i njëjtë, pa aksione konkrete, pa strategji të qartë dhe pa rezultate.
Që prej vitit 2021, kur Berisha rifilloi të rimarrë drejtimin politik të opozitës përmes “Foltores”, ai ka përsëritur me dhjetëra herë premtime për “fundin e regjimit”, “shporrjen e Ramës”, dhe “rikthimin e votës së lirë”. Çdo fjalim shoqërohet me fjalë si “luftë”, “revoltë” apo “çlirim demokratik”. Por përballë thirrjeve të njëpasnjëshme, opozita nuk ka ndërmarrë asnjë aksion të organizuar politik që të krijojë presion real ndaj qeverisë.
Një cikël deklaratash që përsëritet
Në mars 2022, Berisha premtoi një “pranverë protestash” që do të rrëzonte Ramën. Nuk ndodhi.
Në shtator 2022, paralajmëroi “betejën më të madhe të opozitës”. Disa tubime sporadike, pa impakt real.
Në janar 2023, foli për një “revolucion qytetar”, por mbeti në sallën e konferencave.
Në qershor 2024, deklaroi se “Rama nuk do ta mbyllte mandatin”, ndërsa qeveria vijoi normalisht punën.
Në gusht 2025, Berisha sërish paralajmëron një “mobilizim kombëtar”, duke vënë në shënjestër edhe diasporën.
Kjo retorikë e stërpërsëritur pa pasuar nga ndonjë strategji konkrete, e ka lodhur një pjesë të elektoratit opozitar, që kërkon jo vetëm fjalë të forta, por veprime të guximshme dhe të organizuara.
Pa parti funksionale, pa platformë
Partia Demokratike, e ndarë mes fraksioneve, ka dështuar të ndërtojë një strukturë efektive, një platformë të qartë politike apo një rrjet të qëndrueshëm organizimi. Pothuajse të gjitha aksionet politike të shpallura janë shtyrë, anuluar ose harruar.
Ndërkohë, Berisha në një situatë të ndërlikuar ligjore dhe politike vazhdon të shfaqet si figurë qendrore e opozitës, por pa një plan konkret për riformësimin e saj.
Kur çdo muaj paralajmërohet “beteja përfundimtare”, por asgjë nuk ndodh, krijohet një efekt i kundërt: apatia dhe mosbesimi në radhët e qytetarëve që presin ndryshim.



