Google ka prezantuar një risi të madhe në aplikacionin e saj të inteligjencës artificiale Gemini aftësinë për të kujtuar automatikisht bisedat e mëparshme, por edhe opsionin për t’i harruar ato plotësisht, nëse përdoruesi dëshiron.
Veçoria e re e Kontekstit Personal i lejon Gemini-t të përdorë bisedat e mëparshme për të ofruar përgjigje më të personalizuara dhe të sakta, transmeton Telegrafi.
Ky opsion është aktiv si parazgjedhje, por mund të çaktivizohet lehtësisht në cilësime (Cilësimet → Konteksti Personal → Bisedat tuaja të kaluara me Gemini-n).
\Për ata që duan një bisedë pa asnjë gjurmë, ekziston edhe Biseda të Përkohshme – biseda që nuk ruhen, nuk përdoren për të trajnuar modelin dhe fshihen brenda 72 orëve. Ato nuk shfaqen as në listën e bisedave të fundit.
Së bashku me këto ndryshime, Google po ndryshon gjithashtu emrin e opsionit “Aktiviteti i Aplikacioneve Gemini” në Mbaj Aktivitetin, i cili u lejon përdoruesve të vendosin nëse skedarët, fotot dhe aktivitetet e tyre do të përdoren për të përmirësuar shërbimin. Ky cilësim do të jetë i vlefshëm nga 2 shtatori 2025.
Veçoria e Kontekstit Personal është aktualisht e disponueshme për përdoruesit e modelit Gemini 2.5 Pro në vende të caktuara, ndërsa do të prezantohet më gjerësisht në versionin 2.5 Flash.
Me këtë veprim, Google po përpiqet të gjejë një ekuilibër midis personalizimit dhe privatësisë – duke u dhënë përdoruesve mundësinë për të zgjedhur se çfarë do të “mbajë mend” Gemini dhe çfarë do të “harrojë” përgjithmonë.