Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq ish-drejtoreshën e Kadastrës, e cila akuzohet se favorizoi ndërtimet jashtë lejeve duke i shkaktuar miliona lekë dëm shtetit nga shmangia e taksave.
Ndaj ish-drejtoreshës së Kadastrës në Tiranë janë ngritur akuzuat për ‘Falsifikim të dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorim detyre’, si dhe shtetasin me iniciale Sh.B. i akuzuar për ‘Ndërtim të paligjshëm’ dhe ‘Mashtrim’.
Sipas organit të akuzës, në rrugën e ‘Bogdanëve’ ka pasur ndërtime me ndryshim destinacioni në kundërshtim me lejen e dhënë.
Prokuroria argumenton se sipërfaqja e ndërtuar jashtë lejes e përcaktuar nga akt-ekspertimi teknik është 2240 m².
Për këtë sipërfaqe, taksa e ndikimit në infrastrukturë është llogaritur në shumën 24.998.400 lekë, shumë më e lartë se ajo e paguar në bazë të dokumenteve të falsifikuara.
Ndërkohë shtetasi me iniciale Sh.B. ka konsumuar elemente të veprës penale “Ndërtim i paligjshëm” në kushtet e shkeljes së lejes së ndërtimit për qëllim fitimi.



