back to top
0.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetBalla apel për respekt në debatet parlamentare/ “Mos shtrembëroni fjalët, zbatoni rregulloren”

Balla apel për respekt në debatet parlamentare/ “Mos shtrembëroni fjalët, zbatoni rregulloren”

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Kryetarëve, ka bërë thirrje për respektimin e rregullores dhe të etikës së debatit parlamentar, duke kërkuar që palët të dëgjojnë njëra-tjetrën pa ndërprerje apo shtrembërime të qëndrimeve.

“Ju lutem, mos na shtrembëroni atë që themi. Po jua përsëris që kur flisni ju, askush nga ana jonë nuk pipëtin. Të njëjtën gjë duhet të bëni edhe ju,” – u shpreh Balla.

Ai theksoi se që në ditën e parë të legjislaturës, mazhoranca ka kërkuar respekt të ndërsjellë, veçanërisht gjatë fjalës së Kryeministrit.

“Jemi munduar t’ju themi që nga dita e parë: kur merr fjalën Kryeministri, duhet ta respektoni. Se si e përdor fjalën Kryeministri, është e drejtë e tij,” – tha Balla.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së iu referua gjithashtu një propozimi të deputetit Gazment Bardhi për nisjen e një debati parlamentar, duke theksuar se çdo kërkesë për mocion apo debat duhet të ndiqet sipas procedurave të përcaktuara qartë në rregullore.

“Kishte një propozim nga z. Bardhi për nisjen e debatit. Para se të hyjmë në diskutim, kemi disa kërkesa për mocione për debat. Këto kërkesa janë të përcaktuara qartë në rregullore: prezantohet pro dhe kundër, dhe në fund bëhet votimi,” – theksoi ai.

Duke iu drejtuar deputetit Luçiano Boçi, Balla sqaroi se çështja e ngritur prej tij duhet të trajtohet në mënyrë institucionale, sipas nenit 33 të rregullores së Kuvendit, dhe jo brenda Konferencës së Kryetarëve.

“Z. Boçi, ju sollët një shqetësim të komisionit. Çështja që u ngrit duhet të raportohet sipas nenit 33 të rregullores, por nuk mund të paraqitet këtu, në Konferencën e Kryetarëve,” – shtoi Balla.

Debatet në Konferencën e Kryetarëve janë zhvilluar në kuadër të përgatitjeve për seancën plenare të radhës, ku pritet të shqyrtohen disa kërkesa për mocione dhe çështje procedurale të ngritura nga opozita.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat