back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 30 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetShqipëria qëndron te dy gjinitë/ Miratohen në komision ndryshimet e Projektligjit për...

Shqipëria qëndron te dy gjinitë/ Miratohen në komision ndryshimet e Projektligjit për Barazi Gjinore

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot, 21 tetor, Projektligjin për “Barazinë Gjinore”, pas disa ndryshimeve të propozuara nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Ky projektligj ka mbyllur debatet e forta lidhur me frazën “gjinia gjithpërfshirëse”, e cila ishte përfshirë në draftin e publikuar për konsultim në mars të këtij viti.

Me 22 amendamentet e prezantuara, janë rregulluar disa nene të draftit të qeverisë, duke specifikuar vetëm dy gjini, “burrë dhe grua”. Gjithashtu, janë hequr fjalët “pavarësisht përkatësisë gjinore” dhe janë zëvendësuar me formulimin “trajtim të barabartë mes grave dhe burrave”. Termat si “përkatësi gjinore” apo “përkatësi e shumëfishtë” janë konsideruar jo të harmonizuar me legjislacionin aktual dhe janë hequr nga drafti.

Opozita, përfshirë deputetin demokrat Bujar Leskaj, ka shprehur shqetësime se termat e mëparshëm mund të cenonin konceptin biologjik të gjinive, duke ngatërruar gjininë me orientimin seksual. Edhe deputeti Eno Bozdo ka mbajtur qëndrim të ngjashëm, duke theksuar se përdorimi i termit “përkatësi e shumëfishtë” mund të krijonte konfuzion.

Ndërkaq, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi, sqaroi se ligji nuk synon të riformulojë nocionet gjinore, por përmirësimin e kuadrit të politikave për barazinë e grave dhe burrave në fusha të ndryshme të jetës. Ajo shpjegoi se termi “përkatësi e shumëfishtë” lidhet me situata ku një grua përballet me disa shtresa diskriminimi, si për shembull statusi etnik, vendbanimi dhe aftësitë fizike.

Projektligji tani pritet të procedohet dhe të miratohet në seancën plenare të Kuvendit, duke u bërë një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të barazisë gjinore në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat