back to top
11.5 C
Tirana
E mërkurë, 29 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaLajm i mirë për pensionistët/ 9.7 mld lekë te bonusi i fundvitit

Lajm i mirë për pensionistët/ 9.7 mld lekë te bonusi i fundvitit

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot, 21 tetor, Aktin Normativ për disa ndryshime në Buxhetin e vitit 2025, i cili tashmë ka hyrë në fuqi. Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimet synojnë harmonizimin e parametrave buxhetorë me realitetin fiskal dhe mbështetjen e prioriteteve qeveritare, duke reflektuar ecurinë 8-mujore të treguesve makrofiskalë dhe pritshmëritë deri në fund të vitit.

Sipas aktit, qeveria ka shpërndarë 21.8 miliardë lekë nga kursimet dhe fondet ekzistuese për të mbuluar shpenzime të reja dhe investime. Nga kjo shumë, afërsisht 8 miliardë lekë do të shkojnë për projekte të rëndësishme në infrastrukturë dhe digjitalizim, me qëllim që të vazhdojnë pa ndërprerje.

Ndër ndryshimet më të rëndësishme është edhe financimi shtesë për Bonusin e fundvitit për pensionistët, në vlerën e 5.9 miliardë lekëve, duke e çuar fondin total për këtë politikë në 9.7 miliardë lekë për vitin 2025.

Në anën e të ardhurave, pritet një rritje me 12.1 miliardë lekë, si rezultat i tejkalimit të të ardhurave tatimore, doganore dhe kontributeve shoqërore. Një zhvillim pozitiv është edhe ulja e defiçitit buxhetor në 61.6 miliardë lekë, ose 2.4% e PBB-së, nga 2.6% që ishte parashikuar në buxhetin fillestar. Ministria thekson se kjo ulje lidhet me menaxhimin më të mirë të borxhit publik dhe kushtet më të favorshme të financimit.

Ministria e Financave garanton se do të vijojë të ruajë konsolidimin fiskal, qëndrueshmërinë e financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat