Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me ministrin e Financave, Petrit Malaj, dhe ekspertë të financave, njoftoi se zbatimi i planit të ri fiskal, “Paqja Fiskale”, do të nisë vitin e ardhshëm.
Rama theksoi se ky plan përbën një mesazh pozitiv për sipërmarrjen, ndërsa mund të kontribuojë në rritjen e të ardhurave për arkën e buxhetit të shtetit. Një nga qëllimet kryesore të paketës është ulja e informalitetit në ekonomi.
“Është shumë e rëndësishme që ‘Paqja Fiskale’ të hartohet dhe të përmbyllet me sukses në aspektin konceptual deri në fund të këtij viti, në mënyrë që vitin e ardhshëm të fillojmë me zbatimin e saj. Kam shumë besim që nëse konceptohet dhe planifikohet ashtu siç duhet, do të jetë një mesazh shumë pozitiv për sipërmarrjen dhe do të rrisë të ardhurat për arkën e shtetit, ndërkohë që pika kyçe mbetet ulja e informalitetit”, tha Rama.



