Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, iu përgjigj sot pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, lidhur me hetimet për krimet zgjedhore dhe përdorimin e administratës publike gjatë fushatave elektorale.
Çela bëri me dije se aktualisht janë në hetim disa çështje penale të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, të cilat lidhen me përdorimin e administratës publike dhe të fondeve shtetërore gjatë zgjedhjeve.
“Janë disa çështje penale, nuk mund të them numrin e saktë, por janë të shpërndara në të gjithë territorin e Republikës, lidhur me përdorimin e administratës publike dhe fondeve gjatë fushatës. Hetimet janë në vijim dhe rezultatet do të bëhen të ditura brenda këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm,” tha Çela.
Ai shtoi se Prokuroria e Përgjithshme ka ndërmarrë masa për forcimin e koordinimit institucional me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, SPAK dhe Policinë e Shtetit, duke organizuar grupe pune të dedikuara për periudhën zgjedhore:
“U organizua puna edhe brenda sistemit të prokurorisë, u ngritën grupe pune për periudhën zgjedhore me prokurorë të dedikuar për hetimin e krimit zgjedhor. Këto ishin masat nga pikëpamja administrative dhe institucionale,” shtoi Çela.
Kryeprokurori theksoi se procesi i hetimeve vijon dhe çdo rezultat i mëtejshëm do të bëhet i ditur në kohën e duhur, duke garantuar transparencë dhe ndjekje ligjore të drejtë për çdo shkelje të mundshme zgjedhore.



