Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri publik mesazhin që i ka lënë drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit.
Në deklaratën për median, Berisha bëri me dije se Dumani do të përgjigjet para ligjit, pas amnistimit që i ka bërë krimit elektoral dhe milionave që, sipas tij, ka marrë nga një eksponent i krimit në Manzë.
‘Para largimit, unë i lashë këtë shënim: Altin Troplinit, armikut të egër të votës së lirë të shqiptarëve, amnistuesit të krimit monstruoz elektoral të Ramaduros dhe narkoqeveritarëve të tjerë,’ ishte mesazhi i kryedemokratit për Dumanin.
Gjatë fjalës me gazetarët, kreu i PD-së Sali Berisha, ka bërë publik dokumentin që sipas tij, vërteton se Policia greke ka lëshuar urdhër dëbimi ndaj gjyqtares së GJKKO, Irena Gjoka. Në deklaratën për mediat përpara ambienteve të SPAK, pas paraqitjes së tij në këtë institucion, Berisha tha se përmes publikimit të këtij dokumenti faktohet, siç u shpreh ai, ‘fytyra e vërtetë e Altin Troplinit, e KLGJ-së, e ILD-së dhe qeveritarëve të tjerë’.
‘Institucionet e kapura të KLGJ-së, SPAK, ILD, nuk veprojnë për këtë krim flagrant, ndaj sot paraqes para jush provën e re, të radhës, vërtetimin e lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Greqisë, me të cilin vërtetohet ekspulsi i Irena Gjoka Manekut nga territori grek, si pasojë e hyrjes së saj në Greqi me vizë të falsifikuar,’ deklaroi Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha u ndal gjerësisht në atë që e cilësoi si ‘skandalin’ e gjyqtares së GJKKO-së, e cila, sipas tij, vijon ende të qëndrojë në detyrë pavarësisht dënimit të zbuluar në Greqi.
Në deklaratën për mediat nga institucioni i SPAK, Berisha theksoi se gjyqtarja e GJKKO ka tentuar të kalojë kufirin grek me vizë të falsifikuar. Sipas tij, kjo ishte arsyeja për të cilën ndaj Gjokës nisi një procedim penal.
‘Ligji i miratuar me tre të pestat në vitin 2016, ligji 96 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, parashikon se nuk mund të ketë statusin e magjistratit një shtetas që është dënuar me vendim penal të formës së prerë, siç është dënuar Irena me 5 mbiemra, e cila mbahet nga Altin Troplini, ILD dhe KLGJ në përputhje të ligjit, të Kushtetutës, sepse u duhet për qëllime politike duke diskredituar në mënyrë përfundimtare reformën e Xhorxh Sorosit në drejtësi,’ theksoi lideri i PD.
Për kryetarin e PD, Sali Berisha, gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka, ka shkelur tre ligje të vendit, ndërsa kreu i SPAK dhe institucionet e drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, e kanë marrë nën mbrojtje me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
‘Tani, që Irena me 5 mbiemra të mbrohet, të hahet turpi me bukë nga KLGJ-ja, ILD-ja dhe Altin Troplini në mënyrë të koordinuar, kjo dëshmon se këta zbatojnë vetëm urdhra të Edi Ramës dhe janë skllevër të tyre,’ u shpreh Berisha.
Kryetari i PD, Sali Berisha, nga SPAK e ka konsideruar mbrojtjen e numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, një konflikt të hapur interesi, duke iu referuar një ‘precedenti të rrezikshëm’ në sistemin e drejtësisë.
Duke folur në deklaratën për mediat nga Prokuroria e Posaçme, lideri i PD-së Sali Berisha u shpreh se, ‘Pamela Qirko, e cila mbron të motrën, ministre e Infrastruktures dhe Energjisë, është tipike një platformë e kreut të Magjistraturës, Arben Rakipi. Nuk them se pse është motër, nuk mund të jetë avokate, sepse ligji e lejon, po sepse është platforma e mafiozit më të shpifur, më të rrezikshëm në sistemin e drejtësisë, patroni i Altin Troplinit, që e ka emrin Arben Rakipi,’ theksoi Berisha.
I pyetur për hetimet e 21 janarit, kryedemokrati Sali Berisha tha se dosja është penguar nga kryeministri Edi Rama, për shkak të përfshirjes së tij. ‘Zbardhja e kësaj dosjeje është interesi më maksimal i imi dhe i Partisë Demokratike, sepse ajo ishte demonstrata më e dhunshme në historinë e vendit, me një agjendë politike që kishte për qëllim përmbysjen e pushtetit. Nuk ka pasur asnjë urdhër absolutisht nga askush dhe nuk do mund ta gjejnë kurrë se ka pasur urdhër. Garda ka vepruar në përputhje me ligjin dhe vetëm ligjin, të miratuar nga mazhoranca socialiste para ardhjes sonë në pushtet,’ tha gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.
MESAZHI I LËNË PËR ALTIN DUMANIN
Po e nis me një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju këtu dhe të gjithë qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë që ndjekin këtë konferencë shtypi.
Para largimit, unë i lashë këtë shënim: Altin Troplinit, armikut të egër të votës së lirë të shqiptarëve, amnistuesit të krimit monstruoz elektoral të Ramaduros dhe narkoqeveritarëve të tjerë.
Për të gjitha këto, për lidhjet e tij me Troplinin, për milionat e marrë nga Kreshniku i Manzës, ai do përgjigjet para ligjit.
FJALA E PLOTE:
Miqtë e mi, kjo është platforma ku para shqiptarëve paraqiten fakte dhe të vërtetat që provojnë se çfarë llumi njerëzor, se çfarë dhunuesish monstruozë të ligjeve dhe të Kushtetutës, ka grumbulluar reforma e Xhorxh Sorosit në institucionet e drejtësisë.
Këta narkofunksionarë, që marrin rrogat më të larta në Ballkan, që marrin rroga stratosferike, këta janë njëkohësisht mbrojtës, avoketër të krimeve të shëmtuara.
Janë njëkohësisht dhunues të pafytyrë dhe të pacipë të Kushtetutës së vendit dhe ligjeve të këtij vendi.
Sot para jush kam sjellë dokumente të reja me të cilat faktohet fytyra e vërtetë e Altin Troplinit, e KLGJ-së, e ILD-së dhe qeveritarëve të tjerë.
Tani, ju lutem, mund të ndiqni sa vijon:
“Vijon përdhosja e institucioneve të drejtësisë me njerëz që nuk kanë kriteret ligjore për të qenë magjistratë sepse janë kriminelë ordinerë delinkuentë.
Me njerëz që duhet të jenë në burgu pasi kanë shkelur ligjin dhe kanë fshehur ekspulse dhe dënime penale.
Fytyra e reformës në drejtësi dhe kapja e kësaj reforme dhe institucioneve të drejtësisë, ikona e kësaj reforme është Irena Maneku Gjoka Spata. Keni parë me dy mbiemra, por grua me pesë mbiemra nuk kam parë gjer sot përveç kësaj.
Një kriminele e dënuar me vendim të formës së prerë të drejtësisë greke për falsifikim të vizës dhe që ka fshehur ligjin, i cili sipas Kushtetutës e ndalon atë të ushtrojë detyrën apo funksionet e magjistratit.
Irena me 5 mbiemra ka fshehur ekspulsin, nuk e ka deklaruar sipas ligjit të dekriminalizimit, gjë që përbën vepër penale të veçantë për çdo njeri të ligjit, por jo për Altin Troplinin, as për ILD-në, KLGJ-në dhe qeveritarët.
Institucionet e kapura të KLGJ-së, SPAK, ILD, nuk veprojnë për këtë krim flagrant, ndaj sot paraqes para jush provën e re, të radhës, vërtetimin e lëshuar nga drejtoria e përgjithshme e policisë së Greqisë, me të cilin vërteton ekspulsin e Irena Gjoka Manekut nga territori grek si pasojë e hyrjes së saj në Greqi me vizë të falsifikuar.
Ky dokument që paraqes sot para jush është dokument origjinal, i lëshuar nga policia greke me vulë apostile, siç kishte vulë apostile dokumenti i gjykatës së Janinës për dënimin penal të Irenës me 5 mbiemra.
Ky dokument fshihet nga Altin Troplini.
Altin Troplini e mban në hetim paraprak, e kuptoni vetë, se po të futi Troplini në hetim paraprak duhet të paguash miliona dhe pastaj qetësohet dosja. Siç është rasti i Kreshnikut të Manzës.


Këtu, do u vë në dispozicion të medieve dokumentin e plotë të policisë greke për publikim dhe më poshtë po lexoj për publikun pjesën kryesore të tij:
Republika e Greqisë.
Ministria e Mbrojtjes së Qytetarit.
Selia e Policisë Helene.
Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit të Kufijve dhe Emigracionit.
Drejtoria e të Huajve, Sektori i Masave Administrative.
Athinë, 14.08.2025
(Prej dy muajsh, Altin Troplini e fsheh në dosje).
Referencë.
Urdhri numër 30377, datë 30.06.2005, i Prokurorisë së Shkallës së Parë të Athinës.
Në zbatim të urdhrit të sipërcituar dhe në zbatim me Kodin e Procedurës Administrative, nga dosja e shërbimit tonë rezulton sa vijon: Me 24.12.2002, shtetasja shqiptare Maneku Irena, e lindur me 15.02.1970, tentoi të hynte në territorin grek përmes pikës kufitare në Kakavijë duke përdorur pasaportën e autoriteteve shqiptare, brenda së cilës u konstatua vizë konsullore e falsifikuar.
Por, për Troplinin dhe Irenën, për KLGJ-në, ILD-në, falsifikimi nuk është krim kur atyre u duhet kundër kundërshtarëve politikë.
Në vijim, nga Komisariati i Policisë në Kakavijë iu ndalua në hyrje sipas dispozitave në fuqi për hyrjen e të huajve.
Me 10.08.2004 u formua dosje penale, e kuptoni tani, për veprën penale të falsifikimit të nenit 216 të Kodit Penal duke u bazuar në ekspertizën laboratorike të kriminalistikës.
Dosja iu përcoll prokurorit të rrethit të Janinës”.
Pra, edhe ky dokument me vulë apostile, i ardhur muaj përpara në zyrat e Skapit të partisë dhe instanca të tjera, mbahet i fshehur dhe nuk veprohet.
Në një kohë kur Kushtetuta e vendit, në nenin 1/6, parashikon se një person, integriteti publik i të cilit është cenuar, nuk mund të vijojë funksionet në organet kushtetuese.
Çfarë thotë ky nen?
Ndalohet zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i një funksioni publik në një nga organet e parashikuara në Kushtetutë ose të krijuara me ligj, pavarësisht përcaktimeve të bëra në dispozitat e tjera të kësaj Kushtetute. Nëse verifikohen rrethana që cenojnë integritetin e funksionarit publik, sipas kushteve dhe rregullave të miratuara me ligj të miratuar me tre të pestat.
Ligji i miratuar me tre të pestat në vitin 2016, ligji 96, për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, parashikon se nuk mund të ketë statusin e magjistratit një shtetas që është dënuar me vendim penal të formës së prerë, siç është dënuar Irena me 5 mbiemra, e cila mbahet nga Altin Troplini, ILD dhe KLGJ në përputhje të ligjit, të Kushtetutës, sepse u duhet për qëllime politike duke diskredituar në mënyrë përfundimtare reformën e Xhorxh Sorosit në drejtësi.
Po ky ligj parashikon në nenin 66/3 detyrimin e çdo magjistrati të njoftojë menjëherë KLGJ-në për ekzistencën e një kushti që çon në përfundimin e mandatit.
Po ky ligj parashikon në nenin 62/1 se gjyqtarët e gjykatës së krimeve të rëndë ku është edhe Irena Gjoka do vazhdonin të qëndronin në detyrë me përjashtim të rasteve kur kishte shkaqe për mbarimin e statusit të magjistratit, siç është rasti i Irenës me 5 mbiemra.
Sipas ligjit të dekriminalizimit të vitit 2015, fshehja, refuzimi për të deklaruar gjykime, dënime, qoftë dhe jo të formës së prerë nga autoritete të huaja, për çfarëdo lloj vepre penale apo masa dëbimi, shkakton ndërprerjen e menjëhershme të funksionit të gjyqtarit.
Po kjo nuk është e vërtetë për Irena Gjokën sepse ajo mbrohet nga Altin Troplini, ILD-ja, KLGJ-ja në mënyrën më kriminale duke përdhosur ligje dhe Kushtetuta të vendit, për të dëshmuar se çfarë përfaqësojnë në raport me Kushtetutën dhe ligjin këto institucione.
Sipas ligjit numër 95 të vitit 2019, ligji për strukturat e posaçme, gjykatë, prokurori, BKH, të gjithë ata që duhet të punonin në këto struktura duhet të deklaronin nëse kishin dënime brenda ose jashtë shtetit të formës së prerë ose jo për çfarëdo lloj shkelje ligjore dhe Irena Gjoka përsëri nuk ka deklaruar dënimin e saj në Greqi.
Refuzimi për të deklaruar përbën shkak të shkarkimit të saj të menjëhershëm.
Imagjinoni se çfarë drejtësie marrin qytetarët shqiptarë nga gjykatës dhe prokurorë si këta, banditë të vërtetë që shkelmojnë ligje dhe Kushtetutë me urdhra politikë të Edi Ramës.
Pra, sipas tre ligjeve të miratuara me tre të pestat, Irena Gjoka nuk duhej të ishte magjistrate.
Të paktën që me hyrjen në fuqi të ligjit për dekriminalizimit.
Por ajo fshehu vendimin e saj penal dhe ekspulset, nuk i raportoi ato sipas ligjit.
Faktet u bënë publike fillimisht nga gazetat greke, më pas nga dokumente zyrtare me vulë apostile të sjellë dorazi në organet kompetente shqiptare që në shkurt të vitit 2024.
Po bëhen dy vite.
Pra, këto dokumente faktojnë edhe njëherë se me kriminelësh kanë penetruar në organet e drejtësisë pas reformës.
Tani, që Irena me 5 mbiemra të mbrohet, të hahet turpi me bukë nga KLGJ-ja, ILD-ja dhe Altin Troplini në mënyrë të koordinuar, kjo dëshmon se këta zbatojnë vetëm urdhra të Edi Ramës dhe janë skllevër të tyre.
Të dashur miq, unë tani do u jap medieve dokumentin e ardhur nga… do ia jap të parin Top Channel-it, e kuptoni vetë, nuk bëj koment.
Të dytin, ku është ajo? Nuk ka ardhur sot. Ja, dhe thoni pastaj që nuk respektojmë kundërshtarët. Po bëj shaka.
Tani, një çështje e dytë që dua ta denoncoj këtu para jush është fakti se këtu dy ditë më parë hyri me veston e avokates mbrojtëse, Pamela Qirko Balluku, motra e Rahmetlie Ballukut.
Se tani e tutje, siç shënova dje në një status, Lubie Balluku do quhet Rahmetlie Balluku.
Tani, këtu ka një gjë të tmerrshme.
Jo se ato janë motra, jo, por se vetorët marrin licencat e avoketërve dhe në stilin Rakipi, ata do të shkatërrojnë përfundimisht të gjithë shërbimin e avokatisë, pasi janë të vetmit që i kanë peng gjykatësit, prokurorët dhe është absolutisht drejtësia e konfliktit të interesit.
Nuk them se pse është motër, nuk mund të jetë avokate, sepse ligji e lejon, po sepse është platforma e mafiozit më të shpifur, më të rrezikshëm në sistemin e drejtësisë, patroni i Altin Troplinit, që e ka emrin Arben Rakipi.
Çfarë bën Arben Rakipi?
Arben Rakipi është drejtor i Shkollës së Magjistraturës, ndërkohë ka studion e avokatisë, dhe shkon tani tek nxënësit e tij që mbarojnë dhe u pret gjobat, të kam vënë kaq, të kam kaluar kaq.
Nuk ka akt më të shëmtuar, nuk ka dëshmi më flagrante të dëshmisë së konfliktit të interesit.
Rakipi ishte vetëm një, tani keni lukuninë e vetorëve, që janë… imagjinoni ju një famoze, Genta Bunga, e cila përflitet për shuma të tmerrshme bashkë me këtë Pamelën.
Të cila përfliten për takime me McGonigalin.
Dhe këto tani të vijnë të mbrojnë?
Po ku mund të qëndrojnë kjo?
Të vijnë me dosjet e vetingut për të mbrojtur kriminelët në akuzat e tyre.
Kjo është dëshmi tjetër e një sistemi drejtësie në konflikt të plotë interesi.
Ja se çfarë krijoi Soros-reforma.
Nuk mbetet gjë tjetër vetëm Delina Fico të emërohet në Gjykatën Kushtetuese.
Edhe ajo do ndodhë.



                                    