back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 14 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomia12 vendime të Strasburgut i kushtojnë buxhetit të shtetit 18 milionë euro

12 vendime të Strasburgut i kushtojnë buxhetit të shtetit 18 milionë euro

Shteti shqiptar duhet të shlyejë një faturë prej 18 milionë eurosh ndaj ish-pronarëve, si rezultat i 12 vendimeve të fituara kundër Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Detyrimi financiar është përllogaritur deri në shtator të vitit 2025, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE), të përfshira në projektbuxhetin e vitit 2026.

Detyrimet e mëdha, nga Sharxhi te Rista

Në listën e vendimeve që shteti duhet të përmbushë, dominojnë dy çështje kryesore që mbartin edhe peshën më të madhe financiare.
Konkretisht, çështja “Sharxhi kundër Shqipërisë” vijon të mbetet më e madhja, me një dëmshpërblim prej 13,3 milionë eurosh, ndërsa e ndjek “Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, me një detyrim prej 4,4 milionë eurosh.

Nga ana tjetër, vetëm një vendim – “Meli dhe Slinkels Family Brewers N.V. kundër Shqipërisë” – ndodhet aktualisht në proces likuidimi, me një vlerë relativisht të vogël prej 17,200 eurosh.

Rreziku i kamatëvonesave

MFE sqaron se është angazhuar të respektojë të gjitha vendimet e GJEDNJ-së, duke theksuar se vonimi i pagesave përtej afatit tre mujor nga hyrja në fuqi e vendimeve, shkakton detyrimin e shtesave ditore si kamatë-vonesë ndaj shtetit shqiptar.
Në këtë kuadër, ministria thekson se janë përdorur të gjitha kanalet ligjore dhe institucionale për garantimin e shlyerjes së detyrimeve, duke përfshirë edhe negocimin me përfituesit për skedulimin e pagesave me këste, në përputhje me mundësitë e buxhetit.

Pagesat mbulohen nga Fondi Rezervë

Sipas relacionit zyrtar të Ministrisë, shlyerja e këtyre detyrimeve do të përballohet nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit për vitin 2025. Kjo praktikë është ndjekur edhe vitet e kaluara, duke synuar që pagesat të kryhen pa ndikuar drejtpërdrejt në strukturën e shpenzimeve të tjera buxhetore.

Një barrë e vazhdueshme financiare

Vendimet e Strasburgut për çështjet e pronësisë kanë qenë ndër më të kushtueshmet për buxhetin e shtetit shqiptar, dhe megjithëse shumica e detyrimeve janë të trashëguara nga dekada të mëparshme, përgjegjësitë ndërkombëtare të Shqipërisë mbeten të detyrueshme.
Sipas ekspertëve, moszgjidhja përfundimtare e çështjeve të pronave dhe vonesat në zbatimin e ligjeve për kompensim vazhdojnë të prodhojnë kosto të reja buxhetore çdo vit, ndërkohë që shteti përpiqet të shmangë sanksione të tjera nga GJEDNJ.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat