back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 14 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetPërplasje e fortë në Kuvend/ PS kërkon përjashtimin e Berishës, PD kërkon...

Përplasje e fortë në Kuvend/ PS kërkon përjashtimin e Berishës, PD kërkon për Ballën

Një ditë pas debatit të ashpër në Kuvend mes kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, situata politike është zhvendosur nga salla plenare në zyrat e Sekretariatit të Etikës. Të dyja partitë kanë depozituar kërkesa për masa disiplinore ndaj përfaqësuesve të palës tjetër, duke kërkuar përjashtimin e tyre nga punimet parlamentare.

Në seancën e zhvilluar më 6 nëntor, e cila kishte në rend dite diskutimin për ligjin mbi barazinë gjinore, debati politik degjeneroi në replika të forta personale, ofendime dhe akuza të ndërsjella. Në qendër të përplasjes u përmend edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, pas një deklarate të Berishës që është cilësuar fyese dhe denigruese nga mazhoranca.

Kërkesa e PD: 10 ditë përjashtim për Taulant Ballën

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar Sekretariatit të Etikës me një kërkesë zyrtare për përjashtimin për 10 ditë nga punimet e Kuvendit të kreut të grupit të PS, Taulant Balla.

Në kërkesë theksohet se Balla ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës, duke cenuar standardet e etikës parlamentare.
Sipas PD-së, gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla ka përdorur shprehje si “lehni”, “rraca e këtyre”, “ta tregoj unë ty” dhe “gënjeshtar”, të cilat konsiderohen si fyerje të drejtpërdrejta dhe gjuhë joparlamentare.

Në dokumentin e firmosur nga përfaqësuesit e grupit të PD-së thuhet:

“Kjo sjellje e deputetit Taulant Balla është e përsëritur seancë pas seance, dhe mbetet në çdo rast e pandëshkuar. Fyerja dhe kërcënimi ndaj deputetëve të opozitës është e papranueshme dhe duhet të shoqërohet me masën disiplinore përjashtimin me 10 ditë nga seanca plenare dhe komisionet parlamentare.”

Sipas nenit 65/1, pika 1, shkronja “a” të Rregullores së Kuvendit, masa e përjashtimit deri në 10 ditë aplikohet kur deputeti, edhe pas tërheqjes së vëmendjes nga drejtuesi i seancës, përdor fjalor fyes, pengon zhvillimin normal të punimeve apo kërcënon kolegët deputetë.

Kërkesa e PS: 30 ditë përjashtim për Sali Berishën

Në të njëjtën ditë, Partia Socialiste ka dorëzuar kërkesën e saj në Sekretariatin e Etikës, duke kërkuar përjashtimin për 30 ditë nga Kuvendi të deputetit Sali Berisha, pas deklaratave të bëra ndaj ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato.

Në kërkesën e PS-së thuhet se Berisha ka bërë deklarata publike fyese, denigruese dhe diskriminuese, të cilat përbëjnë “cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit të një përfaqësuesi diplomatik dhe të imazhit të Kuvendit të Shqipërisë”.

“Në seancën plenare të datës 6 nëntor 2025, deputeti Sali Berisha ka bërë deklarata publike fyese, denigruese dhe diskriminuese ndaj Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato, duke cenuar jo vetëm dinjitetin personal të përfaqësuesit diplomatik, por edhe imazhin institucional të Kuvendit të Shqipërisë. Ky veprim përbën shkelje të rëndë të etikës parlamentare dhe të parimeve të sjelljes së deputetit të përcaktuara në Kodin e Sjelljes dhe në Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në kërkesën e PS.

Mazhoranca e cilëson gjuhën e përdorur nga Berisha si “të papranueshme dhe të dëmshme për marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe diplomatike të Shqipërisë”, duke e konsideruar atë si një shkelje të rëndë të etikës që kërkon ndëshkim maksimal.

Përplasja politike vijon jashtë Kuvendit

Pas incidentit, përplasja mes dy partive është zhvendosur edhe në terrenin politik dhe mediatik.
Përfaqësues të opozitës kanë akuzuar mazhorancën për standard të dyfishtë dhe mungesë vetëkontrolli, ndërsa deputetët socialistë kanë kërkuar që Kuvendi të mos bëhet arenë fyerjesh personale.

Sekretariati i Etikës pritet të shqyrtojë të dy kërkesat në ditët në vijim, përpara se të dërgojë rekomandimet përfundimtare në Konferencën e Kryetarëve, e cila do të vendosë përfundimisht mbi masat disiplinore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat