Ish-deputetja Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka folur për protestën e studentëve disa vite më parë, duke zbuluar rolin që sipas saj ka pasur Lëvizja Rinore për Integrim (LRI) në nismën e saj.
Kryemadhi deklaroi se protesta, e cila u bë një nga lëvizjet më të mëdha qytetare të kohës, u iniciua nga të rinjtë e LRI-së në bashkëpunim me studentë dhe pedagogë. “Protestën e studentëve e ka iniciuar LRI, unë së bashku me një grup studentësh dhe pedagogësh,” tha ajo.
Sipas ish-deputetes, ndërhyrja e Partisë Demokratike dhe strukturave të saj rinore ndryshoi rrjedhën e protestës. “E prishi Lulzim Basha me një strukturë të FRPD,” shtoi Kryemadhi, duke theksuar se fillimisht protesta kishte karakter qytetar dhe paqësor.
Ajo kujtoi gjithashtu reagimin e qeverisë në atë kohë ndaj përfshirjes së saj, duke iu referuar një fjalimi të kryeministrit Edi Rama: “Shqiptarët e mbajnë mend atë protestë që ishte një protestë ku nuk u shkel as një lule dhe pati rezultat. E kanë harruar fjalimin e Ramës kur gjimnazet bojkotuan; ai foli tre orë për mua dhe u thoshte prindërve pse lini fëmijët të merren me Monika Kryemadhin,” u shpreh ish-deputetja.
Deklaratat e Kryemadhit hedhën dritë mbi origjinën e protestës studentore dhe ndikimin e strukturave politike në zhvillimin e saj, duke theksuar rolin e të rinjve dhe dinamizmin qytetar të asaj periudhe.



