Kryeministri Edi Rama ka vijuar sot turin e dëgjesave publike për projektbuxhetin 2026 në Njësinë 2 të Tiranës, ku u ndal te shqetësimet e banorëve lidhur me mungesën e hapësirave për ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve. Rama deklaroi se qeveria po ndërhyn për të liruar hapësirat publike të zaptuara prej vitesh nga biznese private dhe individë, çka do të mundësojë realizimin e investimeve të reja në komunitet.
Sipas tij, rritja e shpejtë e popullsisë në kryeqytet ka krijuar një presion të madh mbi infrastrukturën arsimore, ndërsa kapacitetet aktuale nuk po mjaftojnë për të përballuar kërkesën. Por problemi kryesor, siç tha ai, lidhet me mungesën e hapësirave të lira, pavarësisht se shumë prej tyre figurojnë si publike.
“Problemi është se rritet popullsia në Tiranë, rritet nevoja dhe natyrisht që nevoja rritet më shpejt sesa rriten mundësitë. Tek mundësitë, problemi kryesor është çështja e hapësirave me pronësi shtet,” tha Rama.
Ai shtoi se shumë prej hapësirave publike janë në fakt të zëna me ndërtime të paligjshme ose biznese që i kanë përdorur në kundërshtim me ligjin, të cilat për vite me radhë kanë qenë të pakontrollueshme. Sipas Ramës, kjo situatë po ndryshon falë ndërhyrjeve të fundit të qeverisë dhe bashkisë.
“Ne fatmirësisht, pas një përpjekje dhjetëra-vjeçare, po arrijmë të imponojmë konceptin se hapësira publike, pavarësisht titullit të pronësisë, nuk mund të zaptohet, rrethohet apo të përdoret për aktivitete si rritja e bagëtive në qytet,” u shpreh ai, duke theksuar se hapësirat publike duhet të jenë në dispozicion të komunitetit, jo të interesave private.
Rama u shpreh kritik ndaj një pjese të gjyqtarëve, të cilët sipas tij kanë dhënë vendime që u japin të drejtë bizneseve në hapësira ku ligjërisht nuk mund të ushtrojnë aktivitet. Ai i akuzoi disa prej tyre për paaftësi ose korrupsion, duke deklaruar se disa lokale apo struktura të tjera të zaptuara nuk prishen jo për shkak të mungesës së vullnetit të institucioneve, por për shkak të vendimeve të gjykatave.
“Duhet të jesh o injorant ose i korruptuar që t’ia mohosh komuniteteve të drejtën për të pasur hapësirat e tyre,” tha Rama, duke nënvizuar se shumë gjyqtarë u kanë njohur ndërtuesve apo bizneseve të drejta që në fakt nuk u takojnë.
Ai tha se ndonëse nuk është e zakonshme që një kryeministër të drejtojë gishtin nga një gjykatës duke e akuzuar për një “akt armiqësor”, ai e ndjen si detyrë të sinjalizojë publikisht rastet kur komuniteti pengohet nga vendime të padrejta.
“Nuk është normale që kryeministri t’i tregojë me gisht një gjykatësi fotografinë dhe t’i thotë që ka bërë një akt armiqësor. Ama për mua është e rëndësishme që njerëzit ta dinë të vërtetën: lokali nuk prishet sepse gjykatësi i ka dhënë të drejtën të rrijë aty,” deklaroi ai.
100 mijë metra katrorë hapësira publike të liruara deri tani
Rama bëri të ditur se vetëm deri ditën e djeshme, janë liruar mbi 100 mijë metra katrorë hapësira të zëna, të cilat tashmë po rikthehen për interes publik. Ai theksoi se ky proces është i domosdoshëm për të hapur rrugën për investime të reja në arsim, çerdhe, kopshte, shkolla dhe hapësira komunitare.
“Më vjen mirë që tani gjykatësit janë më të përmbajtur. Nëse ne duam të ndërtojmë një shkollë apo kopsht, aty ku hapësira është e lirë dhe prona është private, atëherë duhet ta shpronësojmë. Nuk mund të jetë e pasistemuar përjetë,” deklaroi ai.
Ai shtoi se projektet e reja për këto hapësira tashmë janë duke u përgatitur dhe se një pjesë e madhe e tyre do të shndërrohen në zona të gjelbra, sheshe rekreative dhe hapësira komunitare.



