Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë dakordësuar që mocioni me debat për masat kundër krimit të organizuar të zhvillohet gjatë seancës së nesërme të Kuvendit, pasi kjo u kërkua nga PD në Konferencën e Kryetarëve. Megjithatë, palët u përplasën për momentin e përfshirjes së tij në rendin e ditës.
Mazhoranca socialiste propozoi që debati të shtyhej për një sesion tjetër parlamentar, por në fund u ra dakord që ai të mbahet nesër, si pika e fundit e rendit të ditës — vendim që u kundërshtua nga PD.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, argumentoi se mocioni nuk mund të shtyhet më tej, pasi rregullorja e Kuvendit detyron që ai të zhvillohet brenda një afati 30-ditor. Ai theksoi se debati lidhet drejtpërdrejt me masat që ka ndërmarrë qeveria në luftën kundër krimit të organizuar, në një kohë kur raportet ndërkombëtare flasin për rritjen e ndikimit të grupeve kriminale.
“Ne nuk mund ta shtyjmë, sepse rregullorja përcakton që mocioni duhet të zhvillohet brenda 30 ditëve. Ne kemi dëgjuar institucionet e sigurisë, por mocioni lidhet me qeverinë. Kërkon të njihet dhe të debatohet mbi masat që ka marrë qeveria,” u shpreh Bardhi.
Ai propozoi që debati të zhvillohet më 18 dhjetor, ditë kur seanca parashikohet të ketë vetëm njoftime dhe diskutime jashtë rendit të ditës, duke kërkuar shtimin e mocionit si një pikë të veçantë.



