Ish-kryeministri dhe lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar dje arsyetimin pas pjesëmarrjes më të ulët se sa pritej në aktivitetin e organizuar para kryeministrisë, duke e cilësuar atë “Foltore parlamentaro-qytetare” dhe jo protestë masive.
Në një prononcim për mediat, Berisha theksoi se PD nuk kishte thirrur miting, por një aktivitet historik që sipas tij ka për qëllim t’i japë zë qytetarëve dhe deputetëve të ndaluar të flasin në parlament, duke u prezantuar qytetarëve para Kryeministrisë.
“Dje PD nuk kishte thirrur miting. Kishte thirrur një ‘Foltore’. Pse ne nuk kemi thirrur miting dhe nuk do të thërrasim miting. Vijnë ata që duan të vijnë,” tha Berisha.
Lideri demokrat e ka cilësuar aktivitetin si një hapi historik për PD-në, duke e krahasuar me foltoret dhe parlamentet e njohura në histori, nga Revolucioni Francez te Parlamenti Kontinental i SHBA. Sipas tij, kjo foltore ka për qëllim të ringrejë PD-në dhe të përfaqësojë shoqërinë shqiptare në tërësi.
Berisha theksoi gjithashtu se PD do të angazhohet në një proces analize dhe ristrukturimi, duke nënvizuar se njëkohësimi i protestave masive me analizën e brendshme të partisë do ta zbehte efektin e saj, prandaj aktiviteti i djeshëm kishte natyrë të veçantë.
“Natyrisht në këtë periudhë, partia nuk mundet që të mos bëjë analizën e vet, të mos përmbushë detyrimet e saj për ristrukturim dhe hapje,” u shpreh Berisha, duke e cilësuar foltoren si një themelim historik që do të vazhdojë pa ndërprerje.



