Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore zhvilloi të martën mbledhjen e parë nën drejtimin e dy bashkëkryetarëve, Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike.
Gjiknuri theksoi se thelbi i punës së komisionit do të jetë adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, duke kërkuar edhe asistencën e Komisionit të Venecias. Ai nënvizoi se reforma duhet të nisë nga problematikat e patrajtuara, që nuk kanë ngarkesë politike, si ligji për financimin e partive jashtë fushatave zgjedhore.
“Do t’i drejtohemi ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias për vënien në dispozicion të ekspertizës. Më e ndershme është të niset me ato probleme që nuk kanë ngarkesë politike,” tha Gjiknuri.
Bashkëkryetari demokrat, Bylykbashi, vuri theksin mbi rëndësinë e reformave zgjedhore pas çdo palë zgjedhjesh dhe kritikoi tentativat e mëparshme. Ai kujtoi se reforma e vitit 2020 u përmbys me ndryshim të njëanshëm në Kushtetutë, ndërsa reforma konsensuale e fundit ishte ajo e vitit 2012.
“Tentativa e fundit për reformë ishte ajo e vitit 2020 që preku Kodin Zgjedhor e në fund fare u përmbys. Ky komision duhet të ketë një qasje të pakufizuar dhe të trajtojë thellësisht të gjitha temat, duke përfshirë keqqeverisjen dhe krimin e organizuar në formë masive,” deklaroi Bylykbashi.
Komisioni synon të ndërmarrë hapa për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, duke u mbështetur në ekspertizën ndërkombëtare dhe në konsultime me të gjitha partitë politike.



