Ilir Alimehmeti ka dhënë detaje të reja mbi takimin e zhvilluar me demokratët, duke theksuar se qëllimi i aktivitetit nuk ishte krijimi i fraksioneve brenda Partisë Demokratike dhe as formimi i një partie të re. Sipas tij, takimi shërbente si një forum diskutimi për çështjet aktuale dhe për të dëgjuar zërin e anëtarësisë.
Alimehmeti u shpreh se pjesëmarrja e tij erdhi për shkak se strukturat drejtuese të PD-së nuk janë mbledhur për të dëgjuar demokratët dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshëm në raport me situatën politike.
Ai theksoi se, pavarësisht numrit të madh të skandaleve që i atribuon qeverisë, opozita mbetet e pafuqishme për të reaguar. Sipas tij, ky boshllëk përfaqësimi e bën edhe më të rëndësishme organizimin e bazës dhe koordinimin e veprimeve.
“Takimi ishte mes demokratësh dhe miqsh, për të diskutuar problematikat dhe rrugët për t’i zgjidhur. Nuk ka qëllim krijimin e fraksioneve. Liria e mendimit është baza e demokracisë,” tha ai, duke shtuar se synimi final është forcimi i PD-së si alternativë qeverisëse.
Sa i përket protestave para kryeministrisë, Alimehmeti deklaroi se suksesi i tubimeve nuk varet vetëm nga një thirrje, por nga organizimi dhe përfaqësimi real i qytetarëve.
“Pas 11 majit duhej t’u flisnim njerëzve. Organizimi dhe përfaqësimi çalojnë fort. Nëse protestën e thërrasin persona që nuk përfaqësojnë qytetarët, qytetarët nuk përgjigjen,” theksoi ai, duke kujtuar protestën e 7 korrikut 2022 si shembull suksesi për shkak të kauzës së drejtë dhe organizimit efektiv.



