Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, ka sqaruar qëndrimin e tij pas takimit të demokratëve që grumbulluan më shumë vota në zgjedhjet e 11 majit, por që mbetën jashtë Parlamentit. Në një intervistë për “Shqipëria Live”, Kalaja theksoi se nuk kishte shkuar për të krijuar parti të re politike apo forum të ri, por për të diskutuar për ringritjen e PD-së dhe çështje të rëndësishme si kodi zgjedhor.
“Dua të bëj një sqarim, nuk kam ikur aty për të krijuar parti të re politike, as për forum të ri. Bindjet e mia janë shumë të ndryshme. Unë mendoj që Partinë Demokratike ta kthejmë më djathtas. Nëse kjo është një lëvizje që dikush largohet dhe vjen dikush tjetër, unë distancohem,” tha Kalaja.
Ai shtoi se fokusimi i tij ishte tek përmbajtja dhe jo epitetet, duke shpjeguar se ka diskutuar për tezën e kodit zgjedhor dhe rëndësinë e vendimeve që të merren nga baza e partisë.
Kalaja mohoi çdo lidhje të veçantë me figura të caktuara brenda PD-së, duke theksuar se qëndrimi i tij ishte i pavarur: “Unë nuk jam as i Ervin Salianjit e as i Sali Berishës. Marr pjesë në forume të ndryshme për ringritjen e Partisë Demokratike. Më ka marrë Ervin Salianji në telefon dhe më ka thënë që do takohemi me kandidatë të ndryshëm që të diskutojmë problematikat që kishim në zgjedhje.”
I pyetur për komentet e Sali Berishës mbi takimin, Kalaj tha se ai ishte korrekt dhe i kishte vlerësuar për kontributin e tyre në PD. Ai theksoi gjithashtu gatishmërinë për të marrë pjesë në takime të tjera që organizohen nga eksponentë të ndryshëm të partisë.
“Unë nuk kam frikë nga askush. Nëse nesër bëhet një tjetër takim nga një eksponent tjetër i PD-së, patjetër që do shkoj. Kam dalë i pari nga takimi,” përfundoi Kalaja.



