Dr. Jorgji KOTE
Mjeshtër i Madh në Diplomaci
Nisma për Siguri Globale( GSI) e shpallur në Prill 2022 nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping është projekt shumëdimensional që rreket të japë përgjigje shteruese për katalogun e larmishëm të sigurisë globale gjeopolitike.
Kjo Nisëm me gjeografi politike planetare mbështetet mbi dimensionet më thelbësore të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në botë. Ajo merr vlera akoma më të mëdha pasi ka për autore Kinën, super shtet me peshë politike, ekonomike dhe ushtarake globale, fuqi bërthamore dhe anëtare e Përhershme e KS të OKB-së.

Foto: VCG
Të gjashtë komponentët e Nismës dëshmojnë angazhimin serioz kinez “për siguri globale gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme“, për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të çdo vendi, respektimin e parimeve të Kartës së OKB-së, angazhimin për të dëgjuar shqetësimet e sigurisë të çdo vendi, angazhimin për paqe të qëndrueshme nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve diplomatike dhe për realizimin e sigurisë tradicionale dhe jo tradicionale.
Në këtë kuadër, Kina ka ndërmarrë shumë hapa, masa dhe reforma në të gjitha variablat jetikë përkatës – sigurinë kombëtare dhe kufitare, sigurinë ekonomike, kibernetike, bërthamore dhe sigurinë e rendit ndërkombëtar ekzistues.
Lançimi dhe zbatimi i këtij projekti madhor po bëhet në një periudhe kritike plot me turbulenca, ndryshime dhe sfida serioze, sidomos paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë dhe kur bota rrezikon të qeveriset sipas “ligjit të xhunglës“
Ja pse GSI-ja po shoqërohet edhe me Nismat për Zhvillim, Qytetërim dhe Qeverisje Globale.
Këtu është shumë e rëndësishme të nënvizohet se ky “kuartet” strategjik është vlerësuar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres. Kjo edhe sepse GSI bashkë me trinomin tjetër global linjëzohen natyrshëm me vizionin e OKB-së dhe me “Pakti për të Ardhmen“ që Samiti i saj miratoi vitin e kaluar. Kina i kushton rëndësi të veçantë edhe mbështetjes dhe zbatimit të Agjendës së OKB-së për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.

Presidenti kinez Xi Jinping mban një fjalim në banketin e përbashkët të mirëseardhjes të grupeve amerikane të miqësisë në San Françisko, 15 nëntor 2025.(Foto/Xinhua)
GSI-ja vazhdon të kërkojë dhe zbatojë mënyra dhe rrugë të reja për realizimin e sigurisë globale, duke vendosur dialogun mbi konfrontimin dhe partneritetin mbi aleancat.
Falë këtyre vlerave, demarsheve dhe risive të dukshme, kjo Nisëm ka fituar mbështetjen e mbi 120 vendeve, shumë organizatave ndërkombëtare dhe rajonale. Ndërkohë që nga projekti i saj “Një rrugë një brez” përfitojnë mbi 150 vende.
Veç projektit të mësipërm, kontributi i saj ka filluar qysh me Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Shangait, Samitet e BRICS dhe të Jugut Global, platformat e bashkëpunimit ekonomik në kontinentet e tjera, me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ku bën pjesë edhe Shqipëria dhe në shumë formate të tjera.
Në këtë proces dinamik, Kina vazhdon të promovojë me përparësi multilaterizmin mbi bazën e parimit të solidaritetit dhe bashkëpunimit; sepse trajtimi i rreziqeve globale kërkon përpjekje globale. Edhe këtu Kina vepron në një linjë me Paktin e OKB-së për të Ardhmen, duke ndihmuar në rigjallërimin e multilaterizmit, nëpërmjet theksimit të rolit qendror të OKB-së.
Për këtë qëllim, ndër të tjera, më 19 Shkurt 2025, në cilësinë e kryesueses së radhës të KS të OKB-së, Kina mikpriti në selinë e OKB-së në Nju Jork Takimin e Nivelit të Lartë “Ushtrimi i multilaterizmit, Reformimi dhe Përmirësimi i Qeverisjes Globale“. Fjala e Ministrit të Jashtëm Wang Yi dhe idetë e tij në atë takim u mirëpritën nga agjencitë dhe shtetet anëtare të OKB-së.
Rëndësinë e multilateralizmit dhe zbatimin e tij në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare e theksoi sërish Presidenti kinez Xi Jinping edhe në Samitin e APEC-ut më 31 Tetor.

Foto: Xinhua
Ndërkohë, Kina e mbështet fuqishëm OKB-në edhe financiarisht. Ajo është kontribuesja e dytë më e madhe e buxhetit paqeruajtës dhe e treta ndërmjet anëtarëve të Këshillit të Sigurimit lidhur me financimin e trupave policore dhe paqeruajtëse të OKB-së. Gjatë 35 viteve të pjesëmarrjes në këto misione, Kina ka dërguar mbi 50,000 trupa në zona të nxehta konflikti. Helmetat e saj blu janë bërë forcë e rëndësishme në operacionet paqeruajtëse të OKB-së.
Në zbatimin e kësaj Nisme Kina i përmbahet dispozitave të së drejtës ndërkombëtare universale. Ajo nuk vepron nisur nga e drejta e forcës por nga forca e të drejtës ndërkombëtare. Kjo përbën një dukuri interesante, sidomos kur edhe vende si SHBA-të që krijuan OKB-në dhe rendin e sotëm ndërkombëtar duket se po e vejnë në dyshim, madje po ndërmarrin hapa që rrezikojnë rendin ndërkombëtar me pasoja tejet negative.
Më tej, si anëtare aktive e Jugut Global, Kina mbështet të gjitha vendet afrikane dhe latino-amerikane në mbrojtjen e sovranitetit dhe zhvillimit social – ekonomik.
Kështu, në Samitin e Pekinit të Forumit Kino-Afrikan 2024 u arrit konsensusi mbi zbatimin e përbashkët të GSI-së. Në këtë kuadër, Kina ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi bashkëpunimi me shumë vende në Azi dhe në Afrikë. Po ashtu, ajo ka ndihmuar në trajnimin e personelit të sigurisë në vendet në zhvillim dhe me 1,700 trajnime të planifikuara për vitin 2025. Kina i ka mbështetur të gjitha ato vende me ndihma dhe projekte të mëdha dhe kryesisht me “Një brez një rrugë“.

Samiti Kinë-Afrikë. Foto: Xinhua
Falë qëndrimeve pragmatike politike dhe diplomatike, pa tabu dhe paragjykime ideologjike, pa dhënë leksione dhe pa ndërhyrë në punët e tyre të brendshme, këto përpjekje dhe veprime kanë krijuar një besueshmëri dhe pëlqyeshmëri në rritje për Kinën te vendet arabe dhe afrikane. Sipas të dhënave më të fundit, simpatia për Kinën në 12 vendet kryesore arabe është rritur ndjeshëm, duke ia kaluar vendeve kryesore perëndimore. Madje, ndaj këtyre të fundit ka një farë alergjie për shkak të standardeve të tyre të dyfishta, mbështetjes së tepëruar për Izraelin, mosmbështetjes së Palestinës, imponimit të vlerave dhe parimeve të tyre ideologjike, etj.
Të njëjtën përparësi i kushton Kina edhe masave për sigurinë tradicionale dhe jo tradicionale. Lidhur me të parin, Kina i është përkushtuar përparimit të procesit të kontrollit të armëve konvencionale; ndërkohë, ajo po bashkëpunon me OKB-në për zbatimin e strategjisë gjithëpërfshirëse kundër terrorizmit. Në këtë drejtim, Kina ka propozuar Nismën mbi Sigurinë Globale të të Dhënave dhe Nismën për Qeverisjen Globale të IA-së; gjithashtu ajo po bashkëpunon për të përmirësuar qeverisjen në kufijtë e rinj, në rajonet polare dhe në hapësirat kibernetike.
Kina ka bërë hapa përpara edhe në bashkëpunimin në fushat e sigurisë jo tradicionale, si mashtrimet telefonike dhe trafikimi i qenieve njerëzore nëpërmjet platformave ASEAN dhe Bashkëpunimi Lancang-Mekong dhe në fusha të tjera.
Këtu është vendi të theksojmë se GSI-ja lindi dhe po zbatohet gjatë shpërthimit të tri konflikteve të mëdha ushtarake dhe ekonomike të njohura që e kanë venë edhe vetë këtë Nisëm në provë.
Kina ka luajtur qysh në fillim rol aktiv ndërmjetësues në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës; një proces ky tejet i ndërlikuar, me përplasje interesash të disa aktorëve/faktorëve madhorë. Vetëm dy muaj pas sulmit rus kundër Ukrainës, ajo parashtroi Propozimin e saj prej 12 pikash për zgjidhjen e konfliktit. Në kërkim të një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët, ndërmjetësuesi i lartë kinez Li Hui ka zhvilluar bisedime intensive në Pekin, Moskë, Kiev, Bruksel, Uashington dhe në metropole të tjera europiane. Në vijim, vitin e kaluar, Kina, Brazili dhe vende të tjera të Jugut Global bashkëpunuan për krijimin në OKB të Grupit të Miqve për Paqe në Ukrainë.

Foto: Ministria e Jashtme Kineze
Po kështu, Presidenti Xi ka sugjeruar fokusimin në 4 pikat më themelore të kësaj zgjidhjeje paqësore. Gjatë vitit të kaluar qeveria kineze ka lëshuar 68 deklarata lidhur me qëndrimet e saj, në mbështetje të përpjekjeve paqebërëse.
Vlen të rikujtojmë se Kina ka kërkuar respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, mospërdorimin e armëve bërthamore nga Rusia, respektimin e sigurisë për të dyja palët, çeljen e korridoreve për furnizimin me drithëra dhe aspekte të tjera të rëndësishme. Gjithashtu ajo ka shprehur gatishmërinë për të dërguar edhe trupa në kuadrin e OKB-së, si garanci për sigurinë në Ukrainë në rastin e një armëpushimi të mundshëm.
Këtë interesim Kina e ka treguar edhe në rastin e krizës në Lindjen e Mesme. Jo vetëm se është blerësi më i madh i naftës arabe, ku çdo paqëndrueshmëri do kishte pasoja të rënda për sigurinë e saj ekonomike, por edhe për interesat e saj strategjike në atë rajon, simpatinë që gëzon atje dhe zbatimin e projektit “Një brez një rrugë“.
Nisur nga sa sipër, edhe pse nuk ka qenë pjesëmarrëse në bisedimet direkte për aemëpushimin në Gaza, Kina ka mbështetur veprimet dhe vendimet e SHBA-ve, Izraelit, vendeve arabe dhe BE-së lidhur me armëpushimin në falë; ndërsa më parë ajo ka dënuar sulmin terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023 por edhe qëndrimet jo proporcionale të Izraelit, sidomos bombardimet në Gaza dhe mosnjohjen e shtetit të Palestinës sipas zgjidhjes me dy shtete.
Për rrjedhojë, nëse për rastin e Rusisë ka rezerva dhe kritika, për shkak të pozitës, aleancës dhe interesave strategjike kineze në atë rajon dhe me Rusinë, sa i takon Lindjes së Mesme ka një vlerësim shumë më të madh për qëndrimet kineze.
Shqetësimi i tretë madhor për Kinën por jo vetëm lidhet me sigurinë e saj ekonomike dhe shmangien e një lufte tregtare me SHBA-të, sidomos lidhur me tarifat doganore. Meqenëse SHBA-të dhe Kina japin 47 për qind të GDP-së dhe gjysmën e prodhimit botëror të mallrave, lufta tregtare mes tyre do ishte shkatërrimtare për to dhe gjithë ekonominë botërore. Ndaj dhe sa herë ka probleme, si dhe gjatë muajve të fundit, Kina angazhohet në bisedime serioze, pa ultimatume dhe masa ekstreme.
Takimi i shumëpritur Trump- Xi Jinping më 30 Tetor në Seul me rezultatet pozitive të njohura konfirmoi se dialogu dhe bisedimet janë alternativa më e mirë për sheshimin dhe zgjidhjen e çdo krize dhe konflikti tregtar midis vendeve të mëdha dhe këtu Kina po e thotë siç duhet fjalën e saj.

Presidenti i Kinës Xi Jinping takohet me homologun amerikan Donald Trump në Busan, Republikë e Koresë, 30 tetor 2025.(Foto/Xinhua)
Gjithsesi, për vlerësimin e drejte realpolitik të qëndrimeve kineze edhe ndaj këtyre tre krizave dhe konflikteve, do kuptuar drejt se edhe Kina ka interesa të veta. Por këtu rëndësi thelbësore ka gatishmëria e Kinës për bashkëpunim me SHBA-të dhe Europën, për zgjidhjen e çdo krize dhe konflikti.
Së fundi, si diplomat karriere për dekada, nuk mund të mos përmend aktorin dhe faktorin tjetër të suksesit të pritshëm të kësaj Nisme – profesionalizmin dhe përvojën e spikatur të diplomacisë kineze. Këtu mjafton të veçojmë faktin që ndonëse për hapjen historike të Kinës ndaj SHBA-ve në vitet 70, meritat i atribuohen kryesisht ish – Presidentit Nikson dhe legjendës së diplomacisë, Henry Kisinger, do theksuar se po aq, në mos dhe më shumë merita kishte udhëheqja e atëhershme kineze me guximin dhe vizionin politik të asaj kohe, me diplomacinë e suksesshme të sharmit dhe ping-pongut me rrjedhoja epokale. Këtë fakt e kanë pranuar dhe vlerësuar edhe protagonistët e asaj epoke historike.
Ja pse, ka një besim të shtuar se Nisma për Sigurinë Globale do të ketë rezultate pozitive në trajtimin dhe zgjidhjen e rebuseve të koklavitur gjeopolitikë.



