back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 1 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaKafeja shtrenjohet me 7.1%/ Shqipëria nuk është më destinacion i lirë për...

Kafeja shtrenjohet me 7.1%/ Shqipëria nuk është më destinacion i lirë për turistët

Çmimet e kafesë dhe kakaos po shënojnë rritje të fortë në tregun vendas, duke e larguar gjithnjë e më shumë Shqipërinë nga lista e destinacioneve me kosto të ulët, si për qytetarët vendas ashtu edhe për turistët.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tetor 2025 çmimet e kafesë, çajit dhe erëzave u rritën me 7.1%, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024 – duke përbërë rritjen më të fortë mes të gjitha grupeve bazë të mallrave të konsumit.

Klimat ekstreme godasin prodhimin global

Rritja e çmimeve lidhet kryesisht me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

Brazili, prodhuesi më i madh i kafesë në botë, është prekur nga thatësira të zgjatura, ngrica dhe reshje të pazakonta, të cilat kanë ulur ndjeshëm sipërfaqet e mbjella dhe rendimentin.

India, ndër prodhuesit kryesorë të çajit, ka regjistruar rënie të prodhimit me rreth 30%, për shkak të temperaturave ekstreme dhe përmbytjeve.

Këto goditje kanë krijuar një hendek mes ofertës dhe kërkesës në tregun global, ndërsa konsumi vijon të rritet fort në tregjet e mëdha si Kina dhe vetë India.

Ndërkohë, edhe spekulimet në bursat ndërkombëtare kanë shtyrë më tej rritjen e çmimeve, të cilat tashmë kanë arritur nivele historike. Ekspertët theksojnë se tarifat e reja të vendosura nga SHBA ndaj prodhuesve brazilianë kanë kontribuar gjithashtu në shtrenjtimin e mëtejshëm.

Presioni i brendshëm mbi çmimet

Në Shqipëri, çmimet e kafesë pasqyrojnë drejtpërdrejt zhvillimet në tregjet globale, pasi produkti është i tëri i importuar. Megjithatë, disa faktorë të brendshëm po nxisin rritjen e çmimeve si mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e shërbimit, rritja e pagave, rritja e konsumit nga turistët si dhe kostot e shtuara operacionale të bizneseve.

Konkurrenca e fortë mes bar-kafeve ka frenuar përkohësisht shtrenjtimin e menjëhershëm, por tendenca në rritje po bëhet e dukshme.

Nga uljet e viteve 2017–2018 tek shpërthimi i çmimeve pas pandemisë

Të dhënat historike tregojnë se 2017–2018, çmimet e kafesë në Shqipëri ranë me 2–3% në vit.

2019 – fillimi 2021, stabilitet dhe luhatje të vogla.

2021 – 2022, rritje e fortë, me kulm rreth 8% në 2022, për shkak të krizës së furnizimeve dhe efekteve pas pandemisë.

2023, rënie e ndjeshme dhe stabilizim pranë 0%.

Që nga mesi i 2024, çmimet nisën sërish të rriten, duke arritur 7.1% në tetor 2025.

Shqiptarët nuk heqin dorë nga kafeja

Edhe pse çmimet janë rritur, shqiptarët mbeten ndër konsumatorët më të mëdhenj të kafesë në rajon. Zakoni i përditshëm i konsumit në bar-kafe është i vështirë të ndryshohet.

Të dhënat e doganave tregojnë se për 10-mujorin 2025 konsumi i kafesë arriti në 6.7 mijë tonë, me rritje 3.5% ndaj një viti më parë. Ky është niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 2018.

Rritja e numrit të turistëve ka luajtur gjithashtu rol të rëndësishëm në këtë konsum rekord.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat