back to top
4.5 C
Tirana
E enjte, 25 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Nuk mblidhet këshilli, nuk ka analizë”/ Kalaja: PD rrezikon të shkojë drejt...

“Nuk mblidhet këshilli, nuk ka analizë”/ Kalaja: PD rrezikon të shkojë drejt shkatërrimit

Mungesa e forumeve aktive brenda Partisë Demokratike dhe refuzimi për të diskutuar hapur disfatën e 11 majit, kanë shtyrë Ervin Salianjin dhe kandidatët më të votuar të opozitës të organizojnë një takim që ka trazuar situatën në PD. I pranishëm mes tyre ka qenë edhe ish-kandidati Aulon Kalaja, i cili në një intervistë për Report Tv ka artikuluar kritika të drejtpërdrejta ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha.

Kalaja tha se Berisha nuk ka mbledhur prej muajsh Këshillin Kombëtar për të diskutuar mbi humbjen e 11 majit, duke theksuar se heshtja dhe mungesa e analizës po e dëmtojnë më tej partinë.

Në emisionin “Sot Live në Shqipëri”, Kalaja u shpreh se një nga shqetësimet kryesore që ka ngritur është Kodi Zgjedhor, të cilin e cilëson të padrejtë dhe të dëmshëm për opozitën.

“Kodi aktual duhet hedhur në kosh. Ne nuk kërkojmë vota kundër PS, por kundër njëri-tjetrit. Ky sistem nuk është i ndershëm dhe na fut në konflikt mes vetes. Unë jam për sistem mazhoritar,” deklaroi Kalaja.

Ai shtoi se forumi i takimit të kandidatëve nuk është as parti e re dhe as lëvizje, por një hapësirë diskutimi që PD nuk po e siguron. Sipas tij, mungesa e mbledhjeve dhe mospërfshirja e njerëzve të votuar e kanë shkëputur PD-në nga baza.

Kalaja kërkoi një analizë të thellë të rezultatit të 11 majit, duke propozuar që secili kandidat të matet me “kutinë” e vet.

“Nëse dikush ka humbur edhe në lagjen e vet, nuk ka çfarë kërkon në vijën e parë të politikës. Duhet të shohim njëri-tjetrin në sy,” tha ai.

Ish-kandidati kritikoi edhe grupin parlamentar të PD-së, të cilin e cilësoi të shkëputur nga qytetarët.

“Nuk mund të presësh protestues kur nuk je megafoni i problemeve të tyre. Grupi parlamentar duhet të zbresë në bazë,” theksoi Kalaja.

Ai shtoi se ky proces analize do të ndihmojë në identifikimin e “humbësve kronikë” dhe në krijimin e një realiteti të ri brenda PD-së.

Sipas Kalasë, PD ka nevojë për një ridimensionim të plotë të mënyrës se si funksionon dhe si përfaqëson qytetarët, nëse synon të jetë konkurruese në zgjedhjet e ardhshme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat