Deputetët e Partisë Demokratike kanë dhënë reagimet e para pas takimit të zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës nga Ervin Salianji me struktura të PD-së në Durrës, ku ishte i pranishëm edhe Ilir Alimehmeti. Pavarësisht interesit të gazetarëve, shumica e deputetëve zgjodhën të mos komentojnë drejtpërdrejt lëvizjen e re brenda partisë, duke kërkuar që vëmendja të zhvendoset tek çështjet që rëndojnë mbi qeverinë.
Deputeti Tomor Alizoti u shpreh shkurt.
“Ervini është miku im, një djalë flori”, por refuzoi të japë qëndrim mbi takimin. Ai kërkoi që fokusi të kthehet tek zv.kryeministrja Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra pas vendimit të GJKKO-së dhe e marrë e pandehur për abuzim me tendera.
“A ka ndonjë pyetje për Ballukun? Përqendrohuni se ngelët tek opozita”, tha Alizoti.
Edhe deputeti Tritan Shehu deklaroi se nuk komenton zgjedhjet personale të askujt, ndërsa Saimir Korreshi u shpreh se për të “çdo demokrat është i takueshëm”/
“Kam pirë 100 herë kafe me Ervinin, nuk e pres unë edhe njëherë”, tha ai.
Në të njëjtën linjë ishte edhe Xhelal Mziu, i cili theksoi se çdo demokrat është i mirëpritur për të forcuar betejën kundër qeverisë:
“Çdo demokrat është një armë më shumë kundër kësaj qeverie”, u shpreh ai.
Ndryshe nga të tjerët, Agron Gjekmarkaj refuzoi plotësisht të komentojë, duke thënë vetëm: “Ditë të mbarë”.
Klevis Balliu, i pyetur për situatën brenda PD-së dhe takimin e Salianjit, përsëriti të njëjtin qëndrim si kolegët e tij, duke kërkuar fokus te Balluku dhe akuzat ndaj qeverisë.
Reagimet e deputetëve tregojnë se ndërsa lëvizja e Salianjit po ngjall diskutime brenda PD-së, linja e komunikimit publik synon shmangien e përçarjes dhe zhvendosjen e vëmendjes drejt skandaleve që rëndojnë mbi mazhorancën.



