back to top
16.5 C
Tirana
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaDosja Veliaj/ Klotilda Bushka kërkon të shpëtojë nga ndjekja penale

Dosja Veliaj/ Klotilda Bushka kërkon të shpëtojë nga ndjekja penale

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, është paraqitur këtë të premte në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO), ku përmes avokatit të saj ka kërkuar pushimin e çështjes penale që po hetohet ndaj saj dhe kalimin e saj në një gjykatë të zakonshme. Sipas mbrojtjes, veprimet për të cilat akuzohet Bushka “nuk përbëjnë vepër penale” dhe për rrjedhojë nuk duhet të gjykohen nga GJKKO.

Avokati i saj argumentoi para trupit gjykues se fakti i atribuuar ish-deputetes nuk parashikohet nga ligji si vepër penale, duke kërkuar të shpallet moskompetenca e gjykatës së posaçme për shkak të “humbjes së subjektit”, pasi Bushka nuk mban më funksion publik që të justifikojë ndjekjen e çështjes nga një trupë speciale. Në vijim, mbrojtja kërkoi edhe gjykim të shkurtuar si një alternativë tjetër procedurale, ndërsa paralelisht përsëriti kërkesën për kalimin e dosjes në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor.

Klotilda Bushka është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të hetimeve të gjera që po zhvillohen ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij. Sipas akuzave, Bushka ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme për të penguar procesin hetimor, duke ndikuar dëshmitarë dhe duke ndërmarrë veprime që, sipas prokurorëve, synonin të shmangnin zbardhjen e së vërtetës.

Në materialet hetimore të SPAK-ut thuhet se ish-deputetja dyshohet se ka përdorur presion dhe intimidim ndaj personave të cilët ishin thirrur për të bashkëpunuar në hetime, si dhe ka ndërhyrë tek disa prej tyre për t’u marrë telefonat celularë, me qëllim që ato pajisje të mos i dorëzoheshin prokurorëve. Këto veprime, sipas organit të akuzës, cenojnë drejtpërdrejt punën e hetuesve dhe përbëjnë pengim të drejtësisë.

Aktualisht, GJKKO pritet të shqyrtojë kërkesat e mbrojtjes dhe të vendosë nëse çështja do të vazhdojë të trajtohet nga kjo gjykatë apo do të transferohet në një gjykatë të zakonshme. Ndërkohë, SPAK vijon hetimet e thelluara në dosjen që ka shkaktuar një sërë lëvizjesh brenda skenës politike dhe institucionale.

Çështja pritet të ketë zhvillime të tjera në ditët në vijim, ndërsa mbetet në vëmendje të opinionit publik për shkak të personazheve të përfshirë dhe akuzave të ngritura.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat