back to top
8.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaVodhën fondet publike/ Çfarë zbuloi Prokuroria për 5 zyrtarët e Bashkisë së...

Vodhën fondet publike/ Çfarë zbuloi Prokuroria për 5 zyrtarët e Bashkisë së Tiranës

Prokuroria e Tiranës ka vendosur masa sigurie për pesë zyrtarë të Bashkisë Tiranë dhe tre përfaqësues të kompanive private, pas hetimeve për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Vendimi vjen pas një hetimi të gjatë që ka zbuluar mashtrime në procedurat e punimeve të demolimit dhe evadimit të mbetjeve ndërtimore në kryeqytet.

Mes të proceduarve janë: Aurel Çuko, Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile në Bashkinë Tiranë; Elehana Guce, përgjegjëse e sektorit të kompensimit nga fatkeqësitë natyrore, Rexhina Rakipi dhe Sokol Qehahaj, specialistë IMT, Aleksandra Mahmutllari, mbikëqyrëse punimesh si dhe tre përfaqësues të kompanive private, Shyqyri Maloku dhe Fatmir Firi.

Hetimi ka zbuluar se disa përfaqësues të kompanive private, të kontraktuar për punimet, paraqitën punime fiktive dhe dokumente të rreme, duke shkaktuar dëm financiar për buxhetin e Bashkisë Tiranë. Përveç kësaj, disa punonjës të IMT-së nuk verifikuan në terren gjendjen reale të objekteve, por bazuan preventivat vetëm në dokumente ekzistuese.

Sipas dosjes hetimore, në shkresën e hartuar për demolimin e 15 pallateve janë përshkruar rrethana të rreme, pasi 6 objekte, përfshirë pallatin 140, nuk ishin fare në fazë demolimi, pasi ato ishin shkatërruar që në janar 2021 nga vetë Bashkia Tiranë. Prokuroria sqaron se për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, disa nga zyrtarët e përfshirë janë Aurel Çuko, Aurel Boriçi, Eleana Jupaj, ndërsa Fatmir Firi akuzohet për falsifikim të dokumenteve nga kompania private.

Analiza e veprimeve hetimore tregon se në janar 2021 janë shembur 6 objekte, duke përfshirë edhe pallatin 140, i cili ishte objekti i parë i hetimit. Më pas, në mars 2021, Këshilli Bashkiak miratoi fondin për “Demolimin dhe evadimin e mbetjeve ndërtimore” për 15 pallate, duke përfshirë edhe objektet e demoluar më parë.

Tenderi u fitua nga kompanitë “Arb&Trans-2010” sh.p.k, “KLAJGER KONSTRUKSION” sh.p.k, ndërsa mbikëqyrës i punimeve ishte “MAGING Studio” sh.p.k, përfaqësuar nga inxhinierja Aleksandra Mahmutllari. Dorëzimi i sheshit të ndërtimit dhe situacionet e punimeve përkatëse përfshinte edhe punime për objektet që ishin të demoluar që në janar 2021, duke paraqitur kështu rrethana të rreme dhe duke shkaktuar dëm financiar të konsiderueshëm për buxhetin e Bashkisë Tiranë.

Hetimi përfshin deklarimet e ndryshme të të përfshirëve, administrimin e dokumentacionit, këqyrjet në terren dhe aktet e ekspertimit, të cilat kanë konfirmuar se disa dokumente dhe preventiva janë paraqitur si të vlefshme, megjithëse punimet përkatëse nuk ishin kryer. Kjo ka sjellë një disbursim të fondeve publike për punime të pabazuara në realitet.

Prokuroria e Tiranës njofton se hetimi vazhdon dhe se të gjitha veprimet janë pjesë e një procedure për të siguruar lidhje ligjore dhe përgjegjësi për punonjësit dhe kompanitë që kanë bërë shkeljet.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat