Një tjetër funksionar i lartë publik është vënë nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, është marrë i pandehur, bëjnë me dije burime pranë hetimit.
Pas disa herëve i thirrur nga SPAK, Beci u paraqit së fundmi para grupit hetimor, ku qëndroi për gati dy orë në cilësinë e personit të dyshuar për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera”. Hetimi ndaj tij ka zgjatur për më shumë se një vit dhe tashmë dosja pritet t’i dorëzohet Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Burimet theksojnë se bëhet fjalë për një informacion ende jozyrtar, pasi as Prokuroria e Posaçme dhe as vetë kryebashkiaku socialist nuk kanë dhënë detaje publike mbi çështjen. Benet Beci ka zgjedhur të mos komentojë, duke shmangur çdo prononcim përpara mediave.
Sipas të dhënave paraprake, procedimi penal është regjistruar në tetor të vitit 2024, ndërsa hetimet janë intensifikuar gjatë këtij viti nga prokurori i çështjes, Dritan Prençi.
Dyshimet e SPAK lidhen me një tender me vlerë rreth 700 mijë euro, të zhvilluar në vitin 2019, për një projekt kërkimor në sektorin e energjetikës. Përveç kryebashkiakut të Shkodrës, nën hetim janë vënë edhe disa anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që SPAK të dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me këtë çështje.



