back to top
7.5 C
Tirana
E premte, 26 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaShqipëria dhe SEPA: Pagesa deri 100 mijë euro me kosto të ulët

Shqipëria dhe SEPA: Pagesa deri 100 mijë euro me kosto të ulët

Anëtarësimi i Shqipërisë në sistemin europian të pagesave, SEPA, pritet të sjellë përfitime konkrete për ekonominë shqiptare, qytetarët dhe bizneset. Sipas një studimi të realizuar nga ekspertët e German Economic Team (GET), i financuar nga Ministria Gjermane për Ekonominë dhe Energjinë, ekonomia shqiptare do të përfitojë rreth 71.3 milion euro nga reduktimi i kostove të transfertave dhe pagesave ndërkombëtare.

Nga të dhënat paraprake rezulton se vetëm në një muaj ka pasur fluks transfertash në sistemin SEPA, që përllogariten në rreth 600 milion euro. Sipas raportit, reduktimi i kostove për transfertat ndërkombëtare do të arrijë 62 milion euro për pagesat e lidhura me tregtinë e jashtme dhe më shumë se 9 milion euro për remitanca, duke bërë kështu një përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset që kryejnë transaksione në Europë.

Avantazhet e SEPA për qytetarët dhe bizneset

Pas anëtarësimit në SEPA, transaksionet deri në 20 mijë euro që nisen nga Shqipëria drejt vendeve të tjera europiane do të kenë komision maksimal 2 euro. Për transaksionet deri në 100 mijë euro, komisioni është vetëm 0.01% e vlerës, ndërsa për transaksionet mbi 100 mijë euro, komisionet nuk do të kalojnë 25 euro. Për shqiptarët që jetojnë në emigrim dhe dërgojnë para për familjarët e tyre në rrugë zyrtare, komisioni maksimal do të jetë 3 euro, duke e bërë transferimin më të përballueshëm dhe më transparent.

Përfitime më të gjera për ekonominë

Anëtarësimi në SEPA nuk sjell vetëm ulje të kostove të transaksioneve, por kontribuon edhe në reduktimin e informalitetit në ekonomi, duke e orientuar më shumë aktivitetin financiar drejt kanaleve zyrtare. Për bizneset, kjo do të thotë pagesa më të shpejta dhe më të sigurta me partnerët europianë, si dhe një ulje të kostove operacionale.

Ekspertët theksojnë se integrimi në SEPA është gjithashtu një hap i rëndësishëm drejt Bashkimit Europian, pasi tregon përparim në integrimin ekonomik dhe harmonizimin e sistemit financiar me standardet europiane.

Për qytetarët dhe bizneset, përfitimet janë konkrete: pagesa dhe transfertat ndërkombëtare bëhen më të lira, më të shpejta dhe më të sigurta, duke i dhënë një impuls të rëndësishëm zhvillimit ekonomik dhe lidhjes me tregun europian.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat