Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot takimin e radhës të Foltores në qytetin e Korçës, një aktivitet që përkoi me 35-vjetorin e themelimit të degës së PD në këtë qytet.
Takimi u mbajt në të njëjtën orë kur ish-deputeti Ervin Salianji organizoi në Shkodër një bashkëbisedim me demokratët, në kuadër të lëvizjes së tij për riformatimin e Partisë Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha uroi përvjetorin e degës së PD Korçë dhe nderoi figurat që, sipas tij, u ngritën kundër regjimit komunist 35 vite më parë.
“Gëzuar festat nga zemra dhe më të mirat për Korçën dhe Shqipërinë. Nderojmë ata korçarë atdhetarë që ngritën degën e parë të partisë këtu, për dinjitetin e Korçës dhe të Shqipërisë”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se Partia Demokratike, sipas tij, mbetet e vetmja forcë opozitare në vendet ish-komuniste që ka mbijetuar pavarësisht goditjeve.
“Vijmë në këtë 35-vjetor si e vetmja parti që jemi ende në këmbë, të fortë dhe të sigurt në fitore. Ndaj nesh u morën akte brutale e të turpshme në projektin ‘Shqipëria pa opozitë’, me qëllim copëtimin dhe izolimin e forcës më properëndimore të vendit. Megjithatë ne triumfuam dhe u ringritëm si feniksi nga hiri”, deklaroi Berisha.
Kreu i selisë blu hodhi akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për përqendrim të pushteteve dhe tentativa për shkatërrimin e opozitës.
“Rama donte të na zhdukte, si një diktaturë që ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij”, tha Berisha.
Takimi në Korçë u zhvillua në një moment tensionesh të brendshme në Partinë Demokratike, teksa lëvizja e nisur nga Ervin Salianji në qytete të ndryshme ka hapur debat mbi drejtimin dhe të ardhmen e opozitës.



