Instituti i Studimeve Politike (ISP) rendit ecurinë e hetimeve të SPAK ndaj zyrtarëve të lartë dhe procesin e integrimit europian si dy zhvillimet më të rëndësishme të vitit për Shqipërinë. Sipas ISP, pavarësisht tensioneve në rritje dhe diskursit anti-SPAK në politikë, puna e organeve të reja të drejtësisë nuk pritet të ndikohet.
Sipas përfaqësuesve të institutit, qëndrimet kritike ndaj SPAK bashkojnë si mazhorancën ashtu edhe opozitën, por kjo nuk është e mjaftueshme për të penguar avancimin e hetimeve. “Interesi anti-SPAK bashkon liderët e qeverisë dhe opozitës, por është i pamjaftueshëm për të penguar avancimin e tyre, në konflikt interesi dhe de facto, një tregues më shumë për nevojën për hetime edhe më të avancuara dhe në nivele edhe më të larta,” tha ISP për BIRN.
Në këtë kontekst, instituti thekson rëndësinë që SPAK dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) të ruajnë integritetin profesional dhe të përfundojnë gjykimin e disa çështjeve të profilit të lartë. “Bëhet fjalë për dosje VIP, ku përfshihen politikanë nën masë sigurie apo tashmë nën hetim zyrtar,” vlerëson ISP.
Ndërkohë, ecuria e negociatave me Bashkimin Europian do të varet nga sjellja e klasës politike ndaj drejtësisë dhe funksionimi i parlamentit. Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit mbeten shtyllat kryesore të procesit të afrimit me BE-në. Teknikisht, këto kritere përfshihen në grup-kapitullin e parë të negociatave, i cili, sipas premtimeve të kryeministrit Edi Rama, synohet të mbyllet deri në vitin 2027, së bashku me kapitujt e tjerë.
Sipas ISP, procesi i negociatave pritet të jetë kryesisht teknik dhe me përfshirje të kufizuar të publikut. “Viti 2026 do të tregojë se procesi i negociatave favorizon qeveritë në detyrë, sepse kërkon stabilitet dhe trajtohet si çështje shtetërore, pa pjesëmarrjen publike,” thekson instituti.
ISP paralajmëron gjithashtu se, ashtu siç po ndodh aktualisht, pritet që një numër i madh ligjesh të miratohen pa vëmendje të mjaftueshme ndaj standardeve parlamentare, cilësisë së tyre dhe zbatimit praktik.



